Një kryebashkiak meksikan është ekzekutuar pak ditë pasi mori detyrën. Alejandro Arcos u betua si kryebashkiak i Chilpancingos, kryeqyteti i Guerreros, një shtet i rrënuar nga dhuna dhe vrasjet e karteleve të drogës.
Ai u zgjodh një javë më parë të drejtonte kryeqytetin me 280 mijë banorë ndërsa dyshohet se pas vrasjes së tij qëndrojnë kartelet e fuqishme të kokainës.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit të Guerreros tha se po hetonte vrasjen e tij.
Konfirmimi zyrtar erdhi pasi fotot qarkulluan në aplikacionin e mesazheve ËhatsApp që përshkruanin një kokë të prerë në majë të një kamioni, që duket të jetë ajo e Arcos. Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur autenticitetin e fotove.
Vdekja e Arcos vjen vetëm tre ditë pasi Sekretari i ri i qeverisë së qytetit, Francisco Tapia, u qëllua për vdekje.
“Ata ishin zyrtarë të rinj dhe të ndershëm që kërkuan të çonin përpara komunitetin e tyre,” shkroi senatori Alejandro Moreno në mediat sociale.
Moreno, i cili është kreu i partisë politike PRI të Meksikës, i bëri thirrje zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm federal që të udhëheqë hetimin për vrasjet e Arcos dhe Tapia, duke pasur parasysh “gjendjen e paqeverisjes në Guerrero”.
Guerrero është bërë një nga shtetet më vdekjeprurëse për zyrtarët publikë si dhe për gazetarët.
Të paktën gjashtë kandidatë për poste publike u vranë në shtet në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit në Meksikë.
Postimet e Arcos në mediat sociale tregojnë se kryebashkiaku në ditët e fundit kishte mbikëqyrur përpjekjet e ndihmës ndaj fatkeqësive pas ndikimit të uraganit John muajin e kaluar, i cili shkaktoi përmbytje të rënda në zonat përreth.