Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi deklaroi në emisionin “Open” se protesta shprehu revoltën e qytetarëve, ndërsa theksoi se nga molotovët nuk pati asnjë dëmtim.
Sipas Vokshit, molotovi është më e pakta që mund të ndodhë për shkelësit e Kushtetuetës.
“Ministri i Brendshëm tha se është ushtruar dhunë ndaj institucioneve dhe Partisë Socialiste. Pra kemi një parti-shtet.
Ai qytetari që u plagos, z. Emiri u dëmtua nga molotovi që hodhi policia në drejtim të qytetarëve. Ne pa u afruar te Parlamenti u hodh gaz, pa pasur asnjë shkak.
Ne u sulmuam me gaz, ndërsa po afroheshim te Parlamenti. Policia ka hedhur gaz në mënyrë jo proporcionale. Nuk pati asnjë akt dhune, molotovët u hodhën në dyert e blinduara të Kryeministrisë, çfarë ndodhi? Pati dëme? Asnjë dëm.
Molotovi ishte më e pakta që mund të ndodhte ndaj atyre që ka grisur dhe shkelur Kushtetutën. Policia mbrojti një foto të Edi Ramës që po digjej, ndërkohë që nuk mbronte qytetarët”, tha Vokshi.