Vendosni fjalën kyçe....

Bota po “kacafytet” për gaz me furnizimin që nuk po i plotëson dot kërkesat


Një valë e re e furnizimit me gaz natyror të lëngshëm nga projektet e dakordësuara vite më parë në pritje të kërkesës në rritje vijon të ngecet në vendnumëro, duke kërcënuar të zgjasë krizën globale të energjisë.

Vonesat nga SHBA-ja në Mozambik premtojnë pak lehtësim të menjëhershëm nga çmimet e larta të lëndës djegëse, pavarësisht nga më shumë se 200 miliardë dollarë investime që supozohej të kthenin tregun e LNG-së në mbifurnizim qysh në vitin 2025.

Për disa vende, burimet e reja të gazit nuk mund të vinin aq shpejt sa duhet. Gjermania nuk ka parë dy tremujorë të njëpasnjëshëm rritjeje që përpara se kriza energjetike t’i shtynte prodhuesit e saj të përkuleshin. Dhe ndërsa Evropa pa dy dimra jashtëzakonisht të butë në vitet e fundit, temperaturat më të ftohta që parashikohen për disa zona këtë sezon mund të rrisin konkurrencën me Azinë për karburantin, duke shkaktuar mungesa për vendet që nuk mund ta përballojnë atë.

“Tregu po përpiqet të ndërtojë një sasi të paparë kapacitetesh të reja në një hark kohor të shkurtër. Kjo nuk është e lehtë për t’u arritur,” tha Ira Joseph, një bashkëpunëtore në Qendrën për Politikat Globale të Energjisë në Universitetin e Kolumbias, SHBA.

Ka disa arsye për vonesat, duke përfshirë ndërtimin e zgjatur në projektet e lëngëzimit në Teksas dhe Meksikë, si dhe sanksionet perëndimore që pengojnë uzinën ruse të Arktikut “LNG 2”. Në të njëjtën kohë, kërkesa globale është në rritje dhe blerës të rinj po hyjnë në kacafytje, me Egjiptin që po bëhet një importues neto këtë vit pasi u përball me probleme të prodhimit dhe një verë jashtëzakonisht të nxehtë.

Konsumi ndoshta do të jetë më i lartë vitin e ardhshëm se në vitin 2024, pjesërisht i nxitur nga një zhvendosje graduale drejt gazit në sektorin e energjisë dhe transportit në Azi, tha Florence Schmit, një stratege e energjisë në “Rabobank”. Çdo shtesë në furnizim në gjysmën e dytë të 2025 mund të vijë shumë vonë për të kapur kërkesën në rritje, shtoi ajo.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë zvogëloi perspektivën e saj për fitimet e prodhimit të LNG në 2025 në një përditësim javën e kaluar. Prodhimi global do rritet në vetëm 580 miliardë metra kub në vitin 2025, tha ajo në një raport tremujor, nga një parashikim i mëparshëm prej më shumë se 600 miliardë metrash kub.

Lehtësimi do kufizohet gjithashtu vitin e ardhshëm, sipas firmës kërkimore “Wood Mackenzie”, e cila shkurtoi vlerësimet për furnizim shtesë me rreth 16% nga llogaritjet e bëra gjashtë muaj më parë.

“Kjo është ende një rritje vjetore e konsiderueshme, kështu që presioni në rënie i çmimeve mbetet një temë kryesore për vitin 2026,” tha Lucas Schmitt, një analist në “WoodMac”.

“Megjithatë, vonesat kanë bërë që rënia e pritur e çmimeve të jetë më pak e theksuar se në fillim të vitit.”

Ndërsa kostoja e tanishme e gazit ka rënë ndjeshëm nga rekordi në vitin 2022, të ardhmet standarde në Evropë janë ende rreth dy herë më të larta se përpara krizës, kur Rusia frenoi rrjedhjet e tubacioneve në rajon. Një rritje e varësisë nga LNG është pjesërisht përgjegjëse, pasi Evropa tani konkurron me blerës nga e gjithë bota dhe karburanti shkon te ofertuesi më i lartë.

Për më tepër është se kërkesa për LNG pritet të rritet ndjeshëm deri në fund të dhjetëvjeçarit, pasi bumi i inteligjencës artificiale rrit nevojat për qendrat e të dhënave të etura për energji. “McKinsey & Co” i sheh kërkesat për AI që përbëjnë 5% të nevojave të Evropës për energji deri në vitin 2030, ndërsa “BlackRock” pret që konsumi i energjisë në gjithë Azinë Jugore të rritet me rreth 50% në 10 vitet e ardhshme. Kërkesa e sektorit të energjisë në SHBA për gaz mund të rritet deri në 30% deri në vitin 2030 nga nivelet e sotme, sipas Bloomberg Intelligence.

“Ne nuk kemi parë shumë për sa i përket rritjes së furnizimit me LNG, por kërkesa për LNG është në rritje,” tha Mark Simons, kreu i gazit dhe energjisë në “TotalEnergies SE”, në një konferencë të fundit në Londër.

Tregu është “arsyeshëm i ngushtë, dhe si pasojë, çmimet evropiane janë të larta, pasi tregtarët janë të shqetësuar se si do jetë në dimër”.

SHBA, një nga furnizuesit kryesorë të LNG-së në Evropë, nuk ka gjasa të shtojë shumë më tepër lehtësira eksporti përtej planit të tanishëmtë projekteve të miratuara për shkak të rritjes së kostove të ndërtimit dhe sfidave rregullatore, nga pauza e lejimit të LNG-së nga Biden deri tek gjykatat për marrjen e lejeve.

Një tjetër prodhues i madh, Katari, është vendosur të rrisë eksportet me më shumë se 80% deri në vitin 2030, por është ende disa vite larg prodhimit të sasive të para shtesë të karburantit.

Furnizuesit më të vegjël po përballen gjithashtu me probleme të ndryshme. Sulmet nga një kryengritje e mbështetur nga ISIS kanë ndalur një projekt të madh në Mozambik. Përpjekjet për të rritur prodhimin nga Papua Guinea e Re dhe Nigeri gjithashtu kanë rënë, ndërsa disa objekte më të vjetra globale përballen me rënie të prodhimit.

Për tregtarët globalë si “TotalEnergies”, që është i përfshirë në projektet globale të LNG nga SHBA në Australi e Angola, kjo do të thotë një periudhë më e gjatë e çmimeve të ngritura që mbështesin fitimet tregtare.

“Është një treg i mirë, nëse mbetet si sot,” tha shefi ekzekutiv i “TotalEnergies”, Patrick Pouyanne, duke iu referuar niveleve të tanishme të çmimeve të gazit.

Por për vendet në zhvillim të botës, kjo do të thotë të konkurrojnë me vendet më të pasura për ngarkesa të shtrenjta të karburantit. Një rritje e çmimeve mund të pengojë përpjekjet e vendeve si Pakistani dhe Tajlanda për të siguruar dërgesat e nevojshme për të ushqyer ekonominë. Malajzia dhe Indonezia janë gjithashtu të vendosura të hyjnë në treg si importues neto pasi po u mbarojnë rezervat.

“Nëse kërkesa vijon të forcohet, e nxitur nga përmirësimi i kushteve makro dhe nyjeve të reja të kërkesë, atëherë çdo mbifurnizim në 2027 dhe 2028 mund të zhduket plotësisht,” tha Saul Kavonic, një analist energjie në firmën kërkimore “MST Marquee” me bazë në Sidnei.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani