Dy aplikime për impiante eolike janë paraqitur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së fundmi.
Subjektet aplikuese edhe pse më vete duket se janë si pjesë e një projekti të përbashkët duke qenë se të dy janë në zonën e Vaut të Dejës në qarkun Shkodër.
Konkretisht MIE njoftoi në faqen e saj për aplikimet në fjalë duke dhënë edhe specifikat për secilën. Këto impiante nëse arrijnë që të marrin miratimin dhe të zbatohen në terren nuk do të jenë objekt koncesioni dhe si të tilla nuk mund të përfitojnë as nga masat mbështetëse që aplikohen për disa projekte me kushte specifike.
“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:
Shoqëria “OLV” sh.p.k. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar 22.8 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Bashkinë Vau i Dejës, Qarku Shkodër” thuhet në dokument.
I njëjti parashtrimi bëhet edhe për shoqërinë “HTT” sh.p.k. e cila ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar 17.1 MW, për prodhimin e energjisë elektrike me vendndodhje po në Bashkinë Vau i Dejës, Qarku Shkodër.
Vitet e fundit ka një tendencë në rritje për investime në burime të riunovueshme energjie por sidomos në fotovolatikë. Sa i takon energjisë nga era edhe pse ka një sërë projektesh që ndodhen në faza të ndryshme nuk ka asnjë të konkretizuar dhe të vendosur në prodhim. Gjasat janë që projektet e para eolike që do të avancojnë më shpejt të jenë ato të ankandit të qeverisë i mbajtur një vit më parë kur u dha një kapacitet 222.4 MW tek tre kompani që shfaqën interes.
Çmimi më i ulët ishte 44.88 euro/MWH. Oferta u dha nga bashkimi i Total EREN sa dhe KMV sh.p.k. Oferta e dytë më e ulët erdhi nga GurisINSAAT, Morgan Energy dhe BRD Energy sh.p.k për një kapacitet 75 MW dhe një çmim 74 euro/MWh ndërkohë qe oferta e tretë erdhi nga Verbung AG për një kapacitet 72.6 MW dhe një çmim 74.95 euro/MWh./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor