Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu do mungojë në përurimin e parashikuar për nesër të xhamisë së re të Namazgjasë, e ndërtuar me kontributin e qeverisë turke.
I pranishëm përveç presidentit turk Erdogan e kryeministrit Rama do jetë kreu i Mytinisë Tiranë Bilal Teqja, i cili sipas Myftinisë do jetë imami zyrtar i kësaj xhamie dhe kreu i një fondi të përbashkët shqiptaro-turk për administrimin e saj.
Ndërtimi i xhamisësë Namazgjasë ka nisur në vitin 2015 ndërsa hapja e saj është shtyrë në kohë mes përplasjes në distancë mes qeverisë turke të Erdogan dhe KMSH-së së drejtuar nga Spahiu, gjë që pasqyrohet edhe në mungesën e këtij të fundit në ceremoninë e nesërme.
Erdogan i konsideron drejtuesit e KMSH-së si pjesë të “Lëvizjes Gylen”, të themeluar e drejtuar nga kleriku dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Erdogan, Fethullah Gylen, i cili ndodhet në azil në SHBA.
Pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi më 15 e 16 korrik 2016 në Turqi, Erdogan nisi një fushatë spastrimi në vend duke goditur të gjithë elementët e kosideruar si pjesë të Lëvizjes Gylen.
Ai i kërkoi edhe kryeministrit Rama të eksradonte në Turqi të gjithë elementët e lëvizjes si dhe të mbyllte institucionet arsimore me lidhje me Gylen në Shqipëri.
Në gusht 2020, Ministria e Arsimit që asokohe drejtohej nga Besa Shahini mbylli dy kopshte fëmijësh në Tiranë, “Mehmet Akif” dhe “Memorial”.
Në vitin 2020, u mbyllën edhe medereseja “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002) dhe medreseja “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996).
Dy vite më pas, në shtator 2022 Ministria e Arsimit që drejtohej nga Evis Kushi mbylli kopshtin “Zybejde Hanim”, që ashtu si dy kopshtet më sipër ka qenë pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal”.
Po në shtator 2022, qeveria vendosi edhe mbylljen e kolegjit jopublik “Mehmet Akif”. Sipas qeverisë shqiptare shkak i mbylljes së institucioneve të lartpërmendura kanë qenë problemet me ligjin që ato kanë pasur, gjë që është kundërshtuar nga institucionet në fjalë.
“Përplasja” për drejtimin e KMSH-së përfshiu edhe ambasadën amerikane që çoi përfaësues të lartë të saj gjatë procesit zgjedhor në vitin 2019, me palën amerikane që zyrtarisht thjesht po vëzhgonte procesin po në fakt ishte në mbështetje të Spahiut, kundër rivalëve të tij në procesin zgjedhor Ylli Gurra e Gramoz Blliku. /Hashtag.al