Vendosni fjalën kyçe....

Kosova do të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj


Autoritetet në Prishtinë thanë të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA dhe jo më nga misioni i UNMIK-ut, siç ka ndodhur deri më tani.

“Përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta, konsistencës dhe përkushtimit të Kosovës për të rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm dhe nga sot në takimet e Komiteteve të përbashkëta Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”, tha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës Jeton Zulfaj tha se vendi do të përfaqësohet me fusnotë.

“Përfaqësimi rajonal ende është me asterisk, kjo është nga viti 2012 dhe siç e dini në vitin e kaluar me marrëveshjen e re që kemi, marrëveshjen bazike ajo adreson pastaj në nivel horizontal çështjen e asteriskut”, tha ai.

Ndryshimet në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta linte atë jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.

Autoritetet në Kosovë hapën të martën vendkalimin kryesor kufitar në Merdarë për hyrjen e mallrave nga Serbia, më shumë se një vit pasi ndaluan importet si një masë sigurie, pas situatës së krijuar me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, të cilët më pas u lanë të lirë nën trysninë perëndimore. Qeveria tha se masat nuk kanë qenë asnjëherë tregtare.

Zyrtarët gjermanë që kanë qenë të përfshirë në arritjen e marrëveshjes thanë se organet e CEFTA-s vendosën ndryshimin e rregullores së punës dhe miratimin e disa vendime të rëndësishme.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor po afrohen më shumë me njëri tjetrin. “Në Procesin e Berlinit ne arritëm të zgjidhim nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA së bashku. Duke bërë këtë, ne po hapim rrugën për përmirësime konkrete për njerëzit në terren”, shkroi ai.

Më 14 tetor pritet të mbahet takimi i radhës së Procesit të Berlinit, që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e themelimit. Procesi është një nismë e hedhur nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian./VOA