Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhe kërcënuese në Signal, SPAK për denoncimin e Bardhit: Po punojmë për identifikimin e burimit


SPAK ka reaguar pas letrës së kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi për mesazhet e ardhura në adresë të tij në aplikacionin Signal, ku përmendeshin emrat e disa personazheve të krimit.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.

“Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.

Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.

Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara”, njofton SPAK.

Bardhi ka zbuluar SMS-të që i kanë ardhur në platformën e tij të komunikimit në “Signal” ku përmendet emri i Ervis Martinajt dhe kërkoi nga SPAK të hetojë.

Gazment Bardhi, në letrën dërguar Prokurorisë së Posaçme, tregon se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog”.

“Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”, shkruhet në SMS-së dërguar kreut të Grupit të PD-së, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës dërguar në SPAK.