Mbështetja britanike për Ukrainën e ka bërë Londrën një objektiv të spiunëve të Moskës, ka pohuar kreu i Shërbimit Britanik të Sigurisë, Ken McCallum.
Në një fjalim vjetor mbi kërcënimet me të cilat po përballet Britania e Madhe, McCallum renditi Rusinë pas terrorizmit, mbi Iranin dhe Kinën, ndërsa kërkoi më shumë fonde dhe paralajmëroi për rreziqet e internetit.
“Roli udhëheqës i Mbretërisë së Bashkuar në mbështetjen e Ukrainës do të thotë se ne llogaritemi si armiq të rëndësishëm në përfytyrimin e ethshëm të regjimit të të Vladimir Putin dhe ne duhet të presim të shohim veprime të vijueshme agresioni këtu në shtëpi”, tha McCallum të martën.
“GRU në veçanti është në një mision të qëndrueshëm për të krijuar kaos në rrugët britanike dhe evropiane. Ne kemi parë zjarrvënie, sabotim dhe më shumë se kaq,” shtoi ai, duke përdorur akronimin për inteligjencën ushtarake ruse.
Sipas McCallum, kjo “fushatë e bashkërenduar” kërkon “një përgjigje të fortë dhe të qëndrueshme”, duke përfshirë përdorimin e Aktit të ri të Sigurisë Kombëtare “në masën e tij të plotë”.
McCallum ishte zyrtari kryesor që loboi për ligjin e vitit 2023, i cili u dha agjencive britanike të sigurisë dhe inteligjencës aftësi të reja me një gamë të gjerë për të luftuar “veprimtaritë malinje të ndërmarra nga aktorë të huaj” të tilla si spiunazhi, sabotimi ose përpjekjet për të ndërhyrë në politikën e Mbretërisë së Bashkuar.