Shumë prej miliarderëve që mbështesin zv.presidenten e SHBA-së Kamala Harris në zgjedhjet e nëntorit ka të ngjarë të “tmerrohen” për publikimin e listës së klientëve të Jeffrey Epstein nëse republikani Donald Trump fiton garën për në Shtëpinë e Bardhë, tha kreu i SpaceX dhe Tesla, Elon Musk.
Epstein, një financier që shoqërohej me të pasurit dhe të famshëm për dekada të tëra, u arrestua në vitin 2019 për abuzimin me gra të reja, duke përfshirë të mitur, në një listë të gjerë klientësh të njohur e të fuqishëm, të cilët shpesh i fluturonte në ishullin e tij privat në Karaibe.
Ai vdiq në rrethana të dyshimta në një qeli burgu në Manhattan në vitin 2019. Vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.
Lista e “mysafirëve” të Epstein dhe prova të tjera që thuhet se janë mbledhur nga FBI-ja kanë mbetur të mbyllura.
Muajin e kaluar, Trump sugjeroi në një intervistë me Lex Friedman se “libri i zi” i Epstein mund të bëhej publik nëse ai fitonte në nëntor.
Duke folur me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson të hënën, Musk pohoi se Harris, kandidati demokrat, ishte thjesht një “marionetë” dhe se në të vërtetë ka mbi njëqind “lëvizës marionetash ” pas saj, shumica prej të cilëve miliarderi tha se ndoshta i njeh personalisht.
Ndërsa ai nuk komentoi mundësinë që lista të shihte ndonjëherë dritën e publikimit, Musk sugjeroi se një pjesë e madhe e arsyes pse Kamala Harris ka fituar kaq shumë mbështetje ishte sepse “shumë miliarderë janë të tmerruar” nga ajo që mund të bëhej publike nëse Trump fiton.
Ai sugjeroi që njerëz të tillë si bashkëthemeluesi i LinkedIn dhe ish-zëvendëspresidenti i zhvillimit të Musk në PayPall, Reid Hoffman dhe Bill Gates i Microsoft-it ishin veçanërisht të shqetësuar për “Dosjen Epstein” dhe se Departamenti i Drejtësisë mund të “ecë përpara”.