Kombëtarja vijon përgatitjet që prej ditës të hënës në Tiranë në kuadër të dy sfidave të radhës të Nations League ndaj Çekisë (11 tetor) dhe Gjeorgjisë (14 tetor).
Me ekipin janë bashkuar të gjithë lojtarët, ndërkohë sot në konferencën e zakonshme për media doli mbrojtësi, Mario Mitaj, i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Mbrojtësi Mario Mitaj u shpreh se Çekia është tashmë një kundërshtar i njohur për kuqezinjtë dhe skuadra e di se çfarë duhet të bëjë për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Mitaj theksoi se e sheh më të fortë ekipin shqiptar në mbrojtje, ndërsa nënvizoi se humbja me Gjeorgjinë nuk ka ndikuar në psikologjinë e kuqezinjve. Ndër të tjera, Mario foli edhe për aventurën e re me Al Itihadin.
Sa vigjilente duhet të jetë mbrojtja në sfidën ndaj Çekisë – Me Çekinë kemi luajtur vitin e kaluar dy herë. E dimë kundërshtarin dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Mbrojtja jonë është shumë e fortë, thuajse të gjithë lojtarët kanë shumë minuta me klubet e tyre. Kanë luajtur mirë dhe nuk besoj se do kemi probleme në këtë aspekt.
Pozicioni si mesfushor tek Al Itihadi – Trajneri më ka vendosur në fushë aty ku ndihem mirë. unë kam shprehur dëshirën të luaj. Në Kombëtare jam mësuar të luaj si mbrojtës i majtë dhe këtu më pëlqen të luaj më shumë.
Si e sheh skuadrën në këtë moment – E njohim kundërshtarin më mirë se më herët. Jemi më të fortë besoj në këtë moment.
Si më kanë pritur në Arabinë Saudite ? – Jam çuditur me mënyrën si më kanë pritur. Sidomos lojtarët, më janë gjendur afër. Por edhe pjesëtarët e klubit janë shumë profesionistë. Jam ambientuar.
Ku jemi ne më mirë krahasuar me çekët? – Në mbrojtje besoj se jemi më të fortë. Qendërmbrojtësit, mbrojtësit e krahut pothuajse luajnë me klubet e tyre dhe kanë minuta në këmbë.
Sa do të ndikojë kalimi yt tek Al Itihadi, pasi luan me kampionë bote – Besoj se çdo lojtar ka dëshirë që të luajë me Benzema, Kante, futbollistë që kanë bërë karrierë të madhe në Europë. Besoj se do më ndihmojnë për të ardhmen për t’u bërë një lojtar më i mirë dhe për t’u zhvilluar edhe si person.
Sa ndikon humbja me Gjeorgjinë – Gjithmonë kur futemi në fushë, dëshira jonë është që të fitojmë. E nisëm mirë, me fitore ndaj Ukrainës, dhe pastaj humbëm. Nuk duhet që kjo humbje të ndikojë në psikologjinë tonë, por duhet të na ndihmojë që të rikthehemi te fitorja.