Kreu i Grupit Parlamentar të PS Niko Peleshi ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar sot në Kryesinë e Kuvendit, ku deputetja e PS-së Milva Ekonomi është shtyrë nga deputeti i opozitës Xhelal Mziu.
Nëpërmjet një postimi, Peleshi shkruan se dhuna ndaj deputetëve dhe stafit të Kuvendit, është e papranueshme dhe e dënueshme.
Postimi:
Pas përpjekjeve të dhunshme të PD për të penguar punimet e seancës plenare dhe sulmet me molotov ndaj institucioneve, sot është tejkaluar çdo kufi me cenimin fizik të deputetes së mazhorancës, Milva Ekonomi, nga deputetët e përjashtuar të opozitës, Xhelal Mziu dhe Ina Zhupa. Opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend. Dhuna ndaj deputetëve, stafit të Kuvendit, Gardës apo Policisë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme.
I bëjmë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të rikthehen në rrugën e arsyes dhe të dialogut. Dhuna dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Kuvendit nuk i shërbejnë as qytetarëve, as demokracisë.