Nga Blerina Gjoka
Banorët e fshatit Çidhën në Dibër kanë fituar betejën e nisur prej vitesh me institucionet shtetërore për të ndaluar ndërtimin e hidrocentralit SETA 4 në kanionin e lumit me të njëjtin emër.
Gjykata Administrative e Apelit vendosi të enjten që të shfuqizojë një vendim të shkallës së parë të kësaj gjykate si dhe disa vendime të institucioneve shqiptare për dhënien me koncension për ndërtimin e një hidrocentrali mbi kanionin e lumit Seta, një Monument natyre me mbrojtje të veçantë.
“Një fitore që na bën të besojmë se ka drejtësi,” tha pas daljes nga godina e kësaj gjykate Mustafa Tola, njëri prej 11 banorëve të fshatit Çidhën në Dibër, të cilët kishin paditur në gjykatë Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Këshillin Kombëtar të Ujit, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë dhe Shoqërinë “Hidro Seta” shpk.
Vendimi i trupës gjyqësore, i përbërë nga gjyqtarët Ardian Dvorani, Blerona Hasa dhe Rezarta Aliu*, parashikon shfuqizimin e pjesshëm të vendimeve të marra nga këto institucione që lidhen me lejen e ndërtimit, lejen mjedisore dhe kontratën koncensionare vetëm për ndërtimin e HEC-it “SETA-4”.
“Ky është lumi i vetëm nga 4 lumenj që ishin pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës që kishte akoma disa kilometra të pashfrytëzuara,” tha Tola, duke shtuar se “3 lumenjtë e tjerë kanë vdekur, i kanë futur në tuba”.
Tola, mjek veteriner me profesion, prej vitesh është një aktivist i mbrojtjes së mjedisit duke kundërshtuar ndërtimin e HEC-ve mbi rrjedhën e lumenjve të zonës së Dibrës dhe e ka ndjekur këtë çështje në dhjetra seanca gjyqësore në shkallën e parë.
Sipas tij, gjatë betejës disa-vjeçare në gjyqësor punimet për HEC-in kanë vijuar. “Ne presim që të prishet dhe uji i futur në tubacione t’i kthehet zonës,” shton ai, duke e cilësuar ujin e këtij lumi jetik për ruajtjen e natyrës së Lurës si një zonë e mbrojtur.
Në padinë e tyre banorët i referohen listës së Monumenteve të Natyrës ku përfshihen dhe “Burimi dhe shpella e Sopanikës” dhe “Gryka e Setës”, të cilat preken nga realizimi i këtij projekti.
“Zbatimi i tij sjell pasoja dhe dëme të mëdha që kanë të bëjnë me denatyralizimin e luginës së këtij lumi, duke dëmtuar dhe sjellë pasoja në dëmtimin e faunës dhe florës (bimëve dhe kafshëve) dhe për rrjedhojë dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e banorëve të fshatit”- thuhet në padinë e dorëzuar në gjykatë.
Beteja e banorëve ka nisur para shumë vitesh me protesta dhe procese ligjore.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e rrëzoi padinë e tyre në dhjetor të vitit 2018, duke dalë në përfundimin se banorët nuk i kishin provuar pretendimet e tyre se HEC-i cënonte zonat e mbrojtura.
Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi në vitin 2015 ndërtimin e 4 HEC-eve në luginën e lumit Seta nga kompania “HYDROSETA POWER”, por banorët në kërkesë padinë e tyre kërkuan shfuqizimin e pjesshëm të kontratës koncesionare për ndërtimin e njërit prej tyre, “SETA 4”, pasi nga 4 kanione që janë në zonë me statusin si zonë e mbrojtur, gjurma e HEC-it prekin 2 prej tyre, që gëzon mbrojtje ligjore.
*Shkrimi u amendua për të saktësuar emrin e anëtares së tretë të trupës gjyqësore, Rezarta Aliu. Në versionin e mëparshëm shkruhej gabimisht se njëra prej anëtareve që dha vendimin ishte gjyqtarja Enkelejda Metaliaj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reporter.al