Ish-kryeministri Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se ka lëshuar një kërcënim me jetë, ose me burg “me gojën e zëdhënësit të tij, Sokol Balla”, për kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Berisha tha se çdo tentativë për të prekur Gazment Bardhin do të rezultojë në pasojat më të rënda.
Ish-kryeministri gjithashtu kritikoi Ramën për krimet dhe trafikimet e tij dhe të Olsit, duke e akuzuar atë se përpiqet të mbyllë gojën opozitës përmes kërcënimeve. Ai u bëri thirrje atyre që mbështesin Ramën të distancohen nga krimet e qeverisë, duke i quajtur ata “mjeranë” dhe duke theksuar se përfshirja e tyre do t’i identifikojë me kriminelët.
Berisha përfundoi duke e cilësuar këtë situatë si një turp të madh.
“Në emër tuaj do i deklaroj këtu, se guxon dhe i prek një qime floku Gazment Bardhit, ose të çdo deputeti, vend mbi tokë nuk do kesh. Nuk të mbrojnë dot as tunelet e Dajtit, as shpellat e Malit me Gropa, kudo që të jesh do gjendesh dhe do të të bëhet gjyqi para shqiptarëve.
Prandaj mos mendo ti se për krimet e Olsit dhe të tuat, për trafiqet e tua dhe të Olsit, për vjedhjet e tua familjare dhe të Olsit, do mund t’i mbyllësh gojën opozitës. Jo, kurrë, harroje! Harroje dhe njëherë.
U them atyre mjeranëve të cilët nuk meritojnë as të quhen njerëz, mos u bëni zëdhënës të një kryekrimineli, të një kryehajduti që mbron krimet e tij, vëllait të tij, organizatës së tij kriminale qeveri, sepse do njësoheni me ta. Dhe ky është një turp i madh” – tha Berisha.
Gjithashtu edhe Kreu i grupit Parlamentar te PD, Gazment Bardhi ka reaguar përmes një letre të hapur drejtuar gaztearit Sokol Balla, ku i sugjeron të shqetësohet për fundin e Ramës dhe jo të tij, duke theksuar se nuk do të ndalet se dënoncuari lidhjet e krimit me qeverinë.
Në letër, ai shpreh mirënjohje për “këshillën” e Ballës, por e siguron se do të thellohet më shumë në denoncime, duke e bërë këtë me fakte dhe prova. Bardhi përmendi se denoncimet e tij të mëparshme kanë rezultuar gjithmonë të vërteta, pavarësisht sulmeve nga propaganda e pushtetit.
“LETËR PUBLIKE GAZETARIT DHE DREJTORIT TË ABCNEWS SOKOL BALLA
I dashur Kol Balla,
Familja ime, bashkëpunëtorë dhe miq të mi, më nisën të shqetësuar një video (video më poshtë – pjesë e shkëputur nga editoriali hyrës i emisionit tënd) ku më “këshilloje” që të mos thellohem në denoncime pasi karma të kthehet herë në formën e Vinit (në burg) e herë në formën e Visit (i zhdukur dhe i dyshuar se është vrarë), dhe në çdo rast fundi nuk është i lumtur.
Të falënderoj shumë për “këshillën”, por më lejo të të informoj ty dhe përmes teje Edi Ramën, se unë kam vendosur t’i shërbej interesit publik, pra do të THELLOHEM në denoncime! Por si gjithmonë, me fakte e prova!
Fati i keq i Edi Ramës dhe kujtdo që leh për llogari të pushtetit të tij është që kurrë nuk ka ndodhur që denoncimet e mija me fakte e prova të kenë rezultuar të pavërteta. Propaganda i ka sulmuar për disa ditë, por nuk e ka mbuluar dot kurrë të VËRTETËN!
Prandaj, rri i qetë dhe mos u shqetëso për fundin tim! Ndërkohë, fillo e shqetësohu seriozisht për fundin e Edi Ramës dhe të kujtdo që leh çdo ditë për llogari të pushtetit të tij!”
Në emisionin e tij në televizionin ABC News, gazetari Sokol Balla duke iu referuar kreut të grupit parlamentar të PD u shpreh se atij po i shtohen çështjet që lidhen me drejtësinë edhe SPAK.
Balla e ka paralajmëruar Bardhin se mesazhet që e lidhin me Vis Martinajn janë të sajuara dhe e ka këshilluar që të jetë më i kujdesshëm në publikimin e materialeve të paverifikuara.
“Gazment Bardhit po i shtohen çështjet që lidhen me drejtësinë edhe SPAK sot e paralajmëroj e njoftoj se mesazhet që e lidhin me Vis Martinajn ishin të sajuara. Por duke e këshilluar që herë tjetër të mos nxitohet ai dhe të tjerët për të publikuar materiale të paverifikuara. Ndoshta një paralajmërim që ai të mos thellohet në gabimet e Salianjit pasi karma të rikthehet herë në formën e Vinit herë në formën e Visit dhe në çdo rast fundi nuk është i lumtur”.