Vendosni fjalën kyçe....

Grupi japonez kundër armëve bërthamore Nihon Hidankyo merr çmimin Nobel për paqe


Çmimi Nobel për Paqe iu nda të premten organizatës japoneze të të mbijetuarve të bombardimeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, Nihon Hidankyo, për veprimtarinë kundër armëve bërthamore.

Komiteti Norvegjez i Nobelit tha se çmimi i takon kësaj organizate “për përpjekjet e saj për një botë pa armë bërthamore dhe për demonstrimin përmes dëshmive të të mbijetuarve se armët bërthamore nuk duhet të përdoren më kurrë”.

Jorgen Watne Frydnes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, tha se komiteti “dëshiron të nderojë të gjithë të mbijetuarit, të cilët, pavarësisht vuajtjeve fizike dhe kujtimeve të dhimbshme, kanë zgjedhur të përdorin përvojën e tyre të kushtueshme për të kultivuar shpresën dhe angazhimin për paqe”.

Përpjekjet për zhdukjen e armëve bërthamore janë nderuar edhe në të kaluarën nga komiteti i Nobelit. Fushata Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore fitoi Çmimin e Paqes në vitin 2017 dhe në vitin 1995 Joseph Rotblat dhe Konferencat Pugwash mbi Shkencën dhe Çështjet Botërore, fituan për “përpjekjet e tyre për të pakësuar rolin e armëve bërthamore në politikën ndërkombëtare dhe, në një afat më të gjatë, për t’i eliminuar armë të tilla”.

Çmimi i këtij viti u nda nën hijen e konflikteve shkatërrimtare në botë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Sudan.

Vitin e kaluar çmimi iu nda veprimtares së burgosur iraniane Narges Mohammadi, për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe demokracisë dhe kundër dënimit me vdekje. Komiteti i Nobelit tha se çmimi ishte gjithashtu një mirënjohje për “qindra mijëra njerëz” që demonstruan kundër “politikave të regjimit teokratik të Iranit për “diskriminimin dhe shtypjen e grave”.

Në një vit konfliktesh, pati disa spekulime përpara shpalljes se Komiteti Norvegjez i Nobelit mund të vendoste të mos jepte fare çmim këtë vit.

Çmimi Nobel shoqërohet me një vlerë monetare prej 1 milion dollarësh.

Ndryshe nga çmimet e tjera Nobel që përzgjidhen dhe shpallen në Stokholm, themeluesi Alfred Nobel vendosi që çmimi për paqen të vendoset dhe të jepet në Oslo nga Komiteti Norvegjez i Nobelit prej pesë anëtarësh.

Ndarja e çmimeve Nobel përfundon të hënën me shpalljen e fituesit të çmimit në fushën e ekonomisë./VOA