Vendosni fjalën kyçe....

Punonjësit e Policisë së Burgjeve tashmë me armë edhe jashtë orarit të shërbimit


Punonjësit e Policisë së Burgjeve tani do të kenë të drejtën të mbajnë armën e shërbimit edhe jashtë orarit të punës, sipas vendimit të miratuar nga qeveria më 10 tetor 2024. 

Punonjësi duhet të bëjë një kërkesë drejtuar titullarit, i cili krijon një komision për shqyrtimin e saj brenda 30 ditëve.

Punonjësi nuk duhet të jetë në ndjekje penale.
Ai duhet të dorëzojë një vërtetim se nuk është në ndjekje penale dhe një dëshmi për aftësinë për punë.
Jashte orarit të punë s arma do të mbahet nën veshje dhe e paekspozuar jashtë orarit.

Arma duhet të ruhet në një kasetë metalike të sigurt, e cila duhet të betonohet ose të saldohet në mur për të parandaluar rrëmbimin.

Ky vendim ka si qëllim të rregullojë mbajtjen e armëve dhe të sigurojë një menaxhim më të mirë të sigurisë për punonjësit.

“PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE PËR MBAJTJEN E ARMËS  NË PËRDORIM PERSONAL, EDHE JASHTË ORËVE TË SHËRBIMIT, NGA PUNONJËSI I POLICISË SË BURGJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 14, të   ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, i cili, për shkak të detyrës, pajiset më armë në përdorim personal, ka të drejtë që këtë armë ta mbajë me vete, edhe jashtë orëve të shërbimit, sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

2. Punonjësi i Policisë së Burgjeve për të mbajtur armën në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit, duhet të plotësojë këto kushte:

a) Ndaj tij të mos ketë nisur ndjekja penale.
b) Në banesën e tij të jetë instaluar kaseta e posaçme për ruajtjen e armës.

3. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Armë në përdorim personal”, pistoleta ose arma e shkurtër e vënë në dispozicion nga institucioni, në të cilin është emëruar punonjësi i Policisë së Burgjeve.
b) “Institucion i Vuajtjes së Veprës Penale” (IEVP), institucionet e paraburgimit dhe institucionet e ekzekutimit të dënimit me burgim.
c) “Kasetë”, një mbajtëse e bërë posaçërisht për të mbajtur armë zjarri, e blinduar, me trashësi e mekanizëm dhe çelës sigurie, e cila duhet të betonohet ose të saldohet në mënyrë të palëvizshme në mur, për të hequr mundësinë e rrëmbimit së bashku me armën.
ç) “Punonjës i Policisë së Burgjeve”, punonjësi, i cili ushtron detyra të natyrës drejtuese, organizuese, mbikëqyrëse ose ekzekutuese për garantimin e rendit e të sigurisë në IEVP dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
d) “Titullar”, drejtuesi i IEVP-së ose drejtori i Policisë së Burgjeve për rastet kur kërkuesi është i emëruar në strukturën qendrore të Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

4. Për t’u pajisur me autorizim për të mbajtur armën në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit, punonjësi bën një kërkesë drejtuar titullarit.

5. Titullari për shqyrtimin e kërkesave ngre një komision, i cili kryesohet prej tij dhe ka në përbërje:

a) eprorin e drejtpërdrejtë të kërkuesit;
b) drejtorin e burimeve njerëzore të strukturës në të cilin është emëruar kërkuesi;
c) shefin e Policisë së strukturës në të cilën është emëruar kërkuesi;
ç)  përgjegjësin e armatimit të strukturës në të cilën është emëruar kërkuesi.

6. Kërkesa përgatitet me shkrim dhe shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Vetëdeklarimin për pajisjen me kasetë metalike për mbajtjen e armës në banesë.
b) Dëshminë nga gjykata dhe prokuroria në juridiksionin territorial të të cilit punonjësi ka vendbanimin që nuk është në ndjekje penale.
c) Dëshminë e aftësisë për punë, e lëshuar nga organet kompetente.

7. Komisioni merr në shqyrtim dhe shprehet me vendim të arsyetuar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës së punonjësit të Policisë së Burgjeve.

8. Në rast se vlerësohet e nevojshme, Komisioni mund të njoftojë kërkuesin që të paraqitet për t’u pyetur ose për t’i kërkuar dokumentacion shtesë, duke i caktuar edhe një afat për këtë.

9. Në rastin e parashikuar në pikën 7, të këtij vendimi, afati i shqyrtimit pezullohet derisa kërkuesi të përmbushë kërkesat e Komisionit ose deri në përfundimin e afatit të caktuar. Në rast se ky i fundit nuk paraqitet ose nuk përcjell dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar, Komisioni vendos mospranimin e kërkesës.

10. Për rastet kur kërkuesi plotëson kushtet, Komisioni nxjerr autorizimin për mbajtjen e armës në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit.

11. Në rastet kur Komisioni vlerëson që kërkuesi nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e armës në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit, vendos refuzimin e kërkesës, me vendim të arsyetuar dhe ia komunikon kërkuesit.

12. Kundër vendimit të refuzimit kërkuesi ka të drejtën e ankimit në gjykatën kompetente.

13. Jashtë orëve të shërbimit, arma mbahet nën veshje e paekspozuar, në brez ose nën sqetull, e futur në këllëf të siguruar me kapëse që të mos dalë në mënyrë të pavullnetshme, në gjendje të shkrehur dhe e vendosur në siguresë, pa fishekë në folenë e fishekut dhe pa krehër.

14. Në banesë, arma ruhet brenda ambientit të saj, në kasetë metalike të posaçme, të siguruar me çelës, që mbahet nga punonjësi i Policisë së Burgjeve, për të mos u përdorur nga persona të tjerë, si dhe të mos ketë elemente të dukshme ekspozimi apo perceptimi.

15. Arma në kasetë ruhet e vendosur në siguresë dhe e ndarë nga municioni dhe duhet të sigurohet me kavo bllokimi, i cili kalon në fyellin e tytës ose me bllokues të këmbëzës së shkrepjes, të kyçur me çelës, i cili mbahet nga përdoruesi i certifikuar i armës së zjarrit.

16. Verifikimi i kushteve të ruajtjes së armëve në banesë realizohet nga një specialist policie, i autorizuar nga titullari, gjatë shqyrtimit të kërkesës sipas pikës 6, të këtij vendimi.

17. Në rastet kur punonjësi pezullohet, lirohet ose largohet nga Policia e Burgjeve automatikisht humb të drejtën e mbajtjes së armës personale jashtë orëve të shërbimit, si dhe detyrohet ta dorëzojë menjëherë këtë të fundit.

18. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin dhe ndjekjen e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, thuhet në njoftim.