Grupi i antiberishistëve, të cilët nuk e gjetën më veten as tek Lulzim Basha, prezantojnë nesër partinë e re.
Nesër në orën 11:00, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe mbështetësit e tjerë prezantojnë partinë së cilën e kanë ‘pagëzuar’ me emrin ‘Djathtas’.
Që prej marrjes së vulës nga ana e grupimit të drejtuar nga Berisha, Alibeaj punoi për të mbledhur 3 mijë firmat e nevojshme.
Partia, sipas statutit, të parë nga Report TV, parashikohet të funksionojë mbi një ndarje pushtetesh brenda organizmit politik.
Njëjtë si shteti, edhe ndërtimi i partisë është bazuar mbi “ndarjen e pushtetit politik, atij administrativ dhe atij gjyqësor, të cilët ndihmojnë dhe kontrollojnë njëri-tjetrin, duke balancuar të gjithë funksionimin e brendshëm të saj.”
Risi është edhe krijimi i një entiteti garantues për ruajtjen e vijës politike dhe ideologjike të partisë. Ky entitet do të ketë kompetencat e thirrjes dhe ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë sa herë që do të vihen re deformime të parimeve mbi të cilat është krijuar dhe ndërtuar partia.
Edhe kryetari, njëjtë si në PD do të zgjidhet përmes votës së anëtarësisë.
“Në hartimin e statutit kemi pasur qëllimin të parashikojmë demokracinë e drejtpërdrejtë (atë që rrjedh drejt e nga anëtari i më i thjeshtë i partisë) si elementi kryesor mbi të cilin bazohet ndërtimi dhe funksionimi i partisë” i tha një burim Report Tv, i cili teksa citon statutin evidentoi faktin se grupimi synon të përcjellë idenë e një partie, jo të kryetarit.
“Demokracia e drejtpërdrejtë e ushtruar në mënyrë të shpeshtë, e shoqëruar edhe me ndarjen e pushteteve brenda organizimit politik sjell në jetë një subjekt me demokraci të brendshme funksionale dhe largimin nga kulti i individit”, sqarohet në Statut.
Pjesë e kësaj partie, pritet të jenë edhe deputetja Flutura Açka, apo Arbi Aglliu, si edhe eksponentë të tjerë demokratë si Edvin Kulluri. Kjo lëvizje e tyre vjen vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare 2025.