Vendosni fjalën kyçe....

Fituesit e Çmimit Nobel për Paqen paralajmërojnë për rritjen e rrezikut të një lufte bërthamore


Liderët e grupit të të mbijetuarve nga bombat atomike, të cilët u nderuan me Çmimin Nobel për Paqen, paralajmëruan të shtunën se rreziku i një lufte bërthamore po rritet, duke përsëritur thirrjen e tyre për heqjen e armëve bërthamore.

“Situata ndërkombëtare po përkeqësohet vazhdimisht dhe tashmë po zhvillohen luftëra ku shtetet kërcënojnë përdorimin e armëve bërthamore,” tha Shigemitsu Tanaka, një i mbijetuar i bombardimit amerikan në Nagasaki në vitin 1945 dhe bashkëkryetar i grupit Nihon Hidankyo, përcjell Reuters.

“Kam frikë se njerëzimi është në rrugën drejt vetëshkatërrimit. E vetmja mënyrë për ta ndalur këtë është të shfuqizojmë armët bërthamore,” shtoi ai.

Në dhënien e çmimit fituesve, Komiteti Norvegjez i Nobelit theksoi shkatërrimin e shkaktuar nga bombardimet atomike në Hiroshima dhe Nagasaki dhe punën shumëvjeçare të grupit japonez për të çliruar botën nga armët bërthamore.

Sipas komitetit, përpjekjet e këtij grupi kanë një rëndësi kritike në botën e sotme, edhe pse nuk përmendi specifikisht asnjë vend.

Muajin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin sinjalizoi se Moska do të konsideronte përgjigjen me armë bërthamore nëse SHBA dhe aleatët e saj do të lejonin Ukrainën të sulmonte brenda Rusisë me raketa me rreze të gjatë veprimi të Perëndimit.