Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeministri i Skocisë, Alex Salmond, ndërron jetë në moshën 69-vjeçare


Alex Salmond, ish-kryeministri i Skocisë që e udhëhoqi vendin drejt pragut të pavarësisë, ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare. Raportet tregojnë se ai pësoi një kolaps pasi mbajti një fjalim në Maqedoninë e Veriut të shtunën.

Salmond shërbeu si kryeministër i Skocisë nga viti 2007 dhe dha dorëheqjen pas dështimit për të siguruar pavarësinë në referendumin e vitit 2014, duke ia dorëzuar rolin zëvendëses së tij, Nicola Sturgeon.

Kryeministri aktual i Skocisë, John Swinney, u shpreh i tronditur dhe i pikëlluar, duke thënë: “Alex punoi pa u lodhur dhe luftoi me guxim për vendin që ai dashuronte dhe për pavarësinë e saj.”

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e përshkroi Salmond-in si një figurë “monumentale” për më shumë se 30 vite dhe theksoi trashëgiminë e tij të gjatë në politikën skoceze, përcjell The Guardian.

Ish-udhëheqësi i SNP-së dhe ish-kryeministri Humza Yousaf tha se, ndonëse kishte dallime me Salmond-in në vitet e fundit, nuk kishte dyshim për kontributin e madh të tij në politikën skoceze dhe britanike.

Lideri i Partisë Laburiste Skoceze, Anas Sarwar, e quajti vdekjen e Salmond-it si një “lajm tronditës” për ata që e njohën, duke e përshkruar atë si një figurë qendrore në politikën skoceze për më shumë se tre dekada.

Alex Salmond pati një karrierë të gjatë dhe shpesh të diskutuar, veçanërisht për rolin e tij në formimin e partisë Alba dhe për debatet e krijuara pas daljes së tij nga SNP.

Vdekja e tij lë një boshllëk të madh në politikën skoceze.