Vendosni fjalën kyçe....

Mallakastër/ U plagosën me thikë nga 76-vjeçari por dhanë deklarim të rremë, policia arreston 2 vellezërit bashkë me të moshuarin


Policia ka vënë në pranga dy vëllezër në Ballsh. Kjo pasi ata dhanë një deklarim të rremë për policinë. Gjithçka nisi kur ata mbetën të plagosur me thikë dhe u paraqitën në spitalin e Ballshit. Atje shkoi dhe policia për të marrë deklaratën mbi ngjarjen e ndodhur.

Vëllezërit e plagosur me thikë, Elis Pashaj dhe Juli Pashaj deklaruan se janë plagosur me njëri-tjetrin duke fshehur ngjarjen.

‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër menjëherë pas njoftimit të marrë se në spitalin e Ballshit janë paraqitur 2 shtetas për mjekim, të plagosur me mjet prerës (thikë), kanë shkuar dhe kanë marrë kontakt me shtetasit e plagosur.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mallakastër shtetasit E. P., 28 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç (vëllezër), të dy banues në Ballsh, për të dhënë deklaratën mbi ngjarjen e ndodhur. Dy vëllezërit kanë deklaruar se janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke fshehur ngjarjen.’, njofton policia.

Por policia së bashku me Prokurorinë bëri hetime të thelluara dhe doli si përfundim që ata ishin plagosur prej fqinjit të tyre 76 vjeçar Agur Beqiraj.

Pas zbulimit të autorit të vërtetë edhe ai u arrestua për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, ndërsa vëllezërit u prangosën për deklarim të rremë.

‘Nisur nga deklarimet kontradiktore të dy vëllezërve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë thelluar hetimet dhe si rezultat bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i hetimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas janë plagosur me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, nga shtetasi A. B., 76 vjeç, banues në Ballsh, (fqinji i tyre).’, thotë policia.