Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku me një tjetër propozim ligjor: Të mbrojmë Shqipërinë nga vendet jo miqësore ndaj nesh


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka prezantuar një ligj të ri për kontrollin dhe filtrimin e investimeve të huaja në Shqipëri, me qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Sipas Tabakut, ky mekanizëm synon të parandalojë investimet nga vendet jo miqësore, të cilat mund të kenë motive të rrezikshme për ekonominë dhe stabilitetin e vendit.

” Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj burimeve të investimeve që hyjnë në vendin tonë. Ka ardhur koha të vendosim standarde të larta dhe të sigurojmë që çdo investim që hyn në Shqipëri të jetë në përputhje me interesat tona kombëtare, “ deklaroi Tabaku në një video të postuar në rrjetet sociale.

Situata aktuale gjeopolitike dhe një kërkesë e shtuar nga partnerët ndërkombëtarë për përmirësimin e klimës së biznesit kanë ndikuar në nismën ligjore të Tabakut.

“Kemi marrë sinjale të qarta nga partnerët tanë ndërkombëtarë se është koha për të ndërmarrë hapa konkrete për të mbrojtur klimën e biznesit dhe sigurinë kombëtare,” shtoi ajo, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë drejtim.

Ky ligj do të ofrojë një mekanizëm të fortë për të filtruar investimet e huaja dhe për të siguruar që Shqipëria të përfitojë nga investimet serioze perëndimore, duke mbrojtur sigurinë kombëtare nga çdo lloj ndikimi të padëshiruar.

 ” Ne duam të sigurojmë që çdo investim i huaj të jetë transparent dhe të përmbushë standardet europiane që Shqipëria synon të arrijë, ” theksoi Tabaku.

Tabaku ka propozuar në vijimësi ndryshime ligjore me synim forcimin e klimës së biznesit dhe kontrollin ndaj investimeve të huaja.

Sipas saj, ky legjislacion i ri do të ndihmojë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për bizneset serioze, duke i larguar investimet që vijnë nga vendet jo miqësore apo që sjellin rrezik për sigurinë e vendit.

” Ky mekanizëm do të jetë një shtyllë e rëndësishme në sigurimin e një klime të shëndetshme biznesi në Shqipëri, ku investitorët e ndershëm do të mund të operojnë pa pengesa dhe pa korrupsion, “ tha Tabaku, duke shtuar se transparenca dhe llogaridhënia janë kyçe për të garantuar suksesin e këtij legjislacioni.

Ajo argumenton se ky ligj është kundër investimeve të paqëndrueshme dhe të rrezikshme, duke nënvizuar nevojën për investitorë seriozë dhe të qëndrueshëm që do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës për shqiptarët.

” Nuk mund të lejojmë që ekonomia jonë të jetë në mëshirën e investimeve të dyshimta që nuk sjellin asnjë vlerë të qëndrueshme për vendin tonë, ” deklaroi Tabaku në videon e saj. Ajo gjithashtu theksoi se ” është koha që investitorët e përgjegjshëm të ndihen të mirëpritur dhe të sigurt për të investuar në Shqipëri, pa qenë nevoja të kërkojnë mbështetje politike apo të përballen me korrupsion. “

 

Teskti I videos së Tabakut

Investimet e huaja që vijnë në Shqipëri ndikojnë në dy elemente.

Së pari, ndikojnë në cilësinë e punës, të tregut dhe të vlerave perëndimore që sjellin. Por nga ana tjetër, ndikojnë edhe në klimën dhe ambientin që ndikon në rritjen e investimeve cilësore.

Investimet e huaja kanë qenë një burim për të tërhequr para të krimit, korrupsionit, kanë shërbyer për pastrim parash  dhe kanë qenë një burim që kanë tërhequr para nga vendet e treta jo miqësore. Për këtë arsye ndodhemi në një situatë kritike.

Së pari, për të hapur tregun ndaj normave europiane, standardeve europiane por edhe investimeve perëndimore, dhe së dyti për të ndaluar çdo influencë jo miqësore në investimet e huaja.

Për këtë arsye kam prezantuar një legjislacion që ngre mekanizëm për të analizuar të gjitha investimet e huaja dhe për të krijuar një atmosferë miqësore për sa i përket biznesit dhe klimës së biznesit.

Sot, Shqipëria ka nevojë që ta hapë tregun. Ta hapë ndaj perëndimit, ndaj atyre bizneseve serioze që nuk kanë nevojë t’i trokasin në derë një politikani, por të vijnë këtu e të akomodojnë në punë shqiptarët që sot fatkeqësisht po largohen.

Ky mekanizëm dhe ky ligj i ri për mekanizmin e “screening” të investimeve të huaja do t’i bëjë mirë edhe biznesit vendas, standardeve të tyre, por nga ana tjetër do të hapë një potencial të ri për investime të huaja që deri më sot nuk ka ekzistuar, të cilit i është marrë fryma prej vendimeve korruptive që qeveria ka marrë në 11 vitet e fundit.