Edvin Kulluri, një nga themeluesit e partisë më të re “Djathtas 1912” ka kritikuar ish-kreun e PD-së Basha duke thënë se nuk u tregua serioz dhe se nuk u përball asnjë ditë me Sali Berishën.
Sipas tij, Basha pas një mungese të gjatë u kthye dhe kërkoi të merrte frytet e mbjella nga të tjerët.
“Basha nuk u tregua serioz në shkëputjen me PD. Një vit pasi dha dorëheqjen e u zhduk. 8 muajt e foltores u zhduk e nuk u përball asnjë ditë me Berishën. U kthye kryetar dhe donte të merrte frutet e punës sonë që përballeshim çdo ditë. Basha mesa duket nuk udhëheq dot.” – tha Kulluri në Neës24.
Ai tha më tej se forca e re politike është në kërkim të aleatëve të rinj për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 ndërsa u shpreh i bindur se “Djathtas 1912” do jetë në parlament.
“Sido të shkojë rezultati zgjedhor, ne do jemi të përfaqësuar në Parlament. Vota gri është shtuar në mënyrë eksponenciale. E ka pranuar edhe vetë Rama, socialistët flasin për votën gri që ka dalë nga PS-ja. PS-ja sipas meje do ketë 120-150 mijë vota më pak. Kjo votë e majtë që nuk do votojë qeverinë, është target elektoral për çdo parti përveç PD-së. Sepse këto vota tek Berisha nuk shkojnë. Kemi lidhur marrëveshje me z. Shehi. Mund të bashkëpunojmë edhe me “Nisma Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet”. Kemi bërë disa biseda të tërthorta, por nuk ka pasur asgjë zyrtare”, tha ai.