Një 47-vjeçar është arrestuar në Fier pasi akuzohet se ka dhunuar një çift bashkëshortësh.
Nga dhuna, i moshuari Namik Rustemi ka përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin e Fierit ku është intubuar ndërsa bashkëshortja e tij, 77-vjeçarja A. Rustemi është mjekuar dhe është larguar në banesë.
Sipas policisë, i arrestuari Ilir Nukaj ka qenë i dënuar më parë për tentativë vrasjeje.
Dyshohet se Nuka ka kërkuar të blejë alkool në marketin e çiftit të moshuar po këta të fundit nuk kanë pranuar t’ia japin pasi e njohin si person problematik. Pas kësaj ai i ka dhunuar më grushte.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda njoftuan sot (13 Tetor) se arrestuan si të dyshuar për krimin Ilir Nukaj, 47 vjeç, banues në fshatin Povelçë, person me precedentë penalë për krime ndaj personit dhe i dënuar më parë me 20 vite burg për tentativë vrasjeje. Ngjarja ndodhi në fshatin Povelçë pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit të dëmtuar më rëndë, Namik Rustemi, teksa për motive të dobëta autori e ka goditur me grushte në pjesën e kokës dhe më pas bashkëshorten e tij, shtetasen A. Rustemi, 77 vjeçe. Si pasojë e dhunës, i moshuari ndodhet i shtruar dhe intubuar në spitalin rajonal Fier, në gjendje të rëndë, në kujdesin e mjekëve. Ndërsa bashkëshortja e tij, njoftohet se pasi ka marrë mjekimin, është larguar drejt banesës së saj. Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale ‘‘plagosje e rëndë me dashje”, thuhet në njoftimin e policisë.