Më shumë se 60 persona janë plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike, në një sulm me dron në Izraelin verior, sipas reaguesve të parë.
Nuk kishte raporte të menjëhershme zyrtare për vdekje nga sulmi, por numri i lartë i të plagosurve të raportuar e bën sulmin një nga më të përgjakshmet që nga fillimi i luftës tetorin e kaluar.
Lajmi vjen pasi Hezbollahu tha të dielën se kishte gjuajtur një tufë dronësh sulmues mbi një kamp trajnimi këmbësorie izraelite “Golani” në Binyamina, në jug të Haifës. Grupi militant me bazë në Liban tha se sulmi ishte në përgjigje të sulmeve izraelite në Liban të enjten që vranë 22 njerëz dhe plagosën 117, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë të dielën se kishin “kapur” një mjet ajror pa pilot që ishte nisur nga Libani, por nuk specifikoi se ku.
Shërbimi i shpëtimit United Hatzalah tha se “kishte ofruar ndihmë për mbi 60 të plagosur në kushte të ndryshme – disa prej tyre në gjendje kritike, të rëndë, të moderuar dhe të lehtë”.
“Helikopterët dhe ambulancat evakuuan të gjithë të plagosurit”, shtoi ai.
Brigada Golani është një njësi këmbësorie e IDF e cila është dislokuar në Libanin jugor. CNN nuk mund të verifikojë nëse droni goditi një kamp trajnimi IDF.
Të plagosurit u transportuan në spitalet anembanë Izraelit. Qendra Mjekësore Hillel Yaffe në Izraelin veriqendror tha se po trajtonte 36 viktima nga ajo që e përshkroi si “incident me UAV”, duke shtuar se kishte “shkallë të ndryshme lëndimi”.
Qendra Mjekësore Sheba Tel Hashomer në Ramat Gan tha për CNN se po trajtonte tre persona të plagosur nga një incident në Binyamina, dy prej të cilëve ishin në gjendje kritike, ndërsa Spitali Rambam në Haifa tha se po trajtonte tre persona të tjerë.