Vendosni fjalën kyçe....

Skandali me flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës në Çeki e Serbi, FFK-ja e FSHF-ja thirrje UEFA-s për masa


Federata e Futbollit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë dënuar koret raciste si dhe përdhosjen e simboleve kombëtare nga tifozeria serbe në ndeshjen Serbi-Zvicër dhe ajo çeke në ndeshjen Çeki-Shqipëri.

Federatat përkatëse i kanë quajtur të papranueshme sjelljet e tifozerive serbe e çeke ndërsa i kanë bërë thirrje UEFA-s të marrë masa.

“Këto akte të papranueshme, e të cilat po ndodhin në vazhdimësi nga tifozë serbë dhe tifozë të disa vendeve tjera që janë të afërta me grupet e tilla serbe, nuk kanë vend në futboll dhe në asnjë arenë sportive, pasi përhapin urrejtje dhe përçarje mes popujsh e shtetesh. Rikujtojmë se incidentet e tilla janë në kundërshtim të plotë me vlerat që UEFA dhe komuniteti ndërkombëtar i futbollit përfaqësojnë. Futbolli duhet të shërbejë si platformë e fuqishme për promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe vlerave të barazisë kudo”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Në dy ndeshjet kishte thirrje për Kosovën si pjesë të Serbisë, ndërsa u shfaq edhe flamuri serb mbi hartën e Kosovës.

Në Pragë, në ndeshjen Çeki-Shqipëri u shfaqën flamujt shqiptar të kthyer përmbys dhe dy prej tyre të mbuluar me shkronjën X. Për veprimet e huliganëve çekë ka reaguar edhe FSHF-ja, menjëherë pas ndeshjes.

“Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë aktet e turpshme që ndodhën gjatë ndeshjes së sotme kundër Çekisë. Koret raciste dhe përdhosja e flamurit shqiptar janë të patolerueshme dhe nuk i takojnë fushës së futbollit. Ky akt i rëndë përbën një sulm të hapur ndaj vlerave të futbollit dhe respektit midis kombeve. Federata Shqiptare e Futbollit dënon fuqimisht çdo formë të racizmit dhe fyerjes ndaj simboleve kombëtare dhe do të dërgojë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar masa të menjëhershme disiplinore. FSHF reagoi menjëherë që në pushimin e pjesës së parë duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës. Futbolli është një lojë që bashkon dhe unifikon gjithë popujt duke promovuar barazinë dhe respektin për të gjithë, pavarësisht kombësisë apo përkatësisë etnike. Shqiptarët, si pjesë e familjes së madhe futbollistike, do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe nuk do të tolerojnë asnjë formë racizmi apo urrejtjeje duke dënuar me forcë çdokënd që tenton të përdhosë bukurinë e këtij sporti.” – thuhet në reagimin e FSHF-së.