Vendosni fjalën kyçe....

Xhixho: Projektligji për kërkimin shkencor të ndalet me urgjencë, shkel autonominë universitare


Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka dalë kundër projektligjit të ri të qeverisë për kërkimin shkencor, duke e cilësuar si një përpjekje për të vendosur një monopol qeveritar mbi këtë fushë. Xhixho, bashkë me Partinë e Lirisë, është rreshtuar në mbështetje të Partisë Demokratike në kundërshtimin e këtij projektligji.

Sipas saj, ky ligj shkel autonominë universitare dhe kërkon ndalimin e tij urgjent përpara se të avancojë më tej në procesin parlamentar. Xhixho gjithashtu ka ndarë një letër të Konferencës së Rektorëve, drejtuar Kryetares së Kuvendit, ku ata shprehin shqetësime se projektligji aktual është i ndryshëm nga versioni që ishte diskutuar më parë, duke ngritur alarmin për ndryshime të papritura dhe të paqarta në përmbajtje.

Qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj që synon riorganizimin e sistemit të kërkimit shkencor në vend, duke krijuar një strukturë të re nën drejtimin e kryeministrit. Sipas këtij projektligji, Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për shkencën, do të hartojë politikat e reja dhe do të përcaktojë fushat prioritare të kërkimit shkencor për të gjitha institucionet shkencore në Shqipëri.

Qëllimi i projektligjit duket të jetë centralizimi i politikave të kërkimit shkencor për të krijuar një qasje më të koordinuar dhe të strukturuar në këtë fushë, për të maksimizuar efektivitetin e fondeve dhe burimeve shkencore.

Deklarata e plotë:

Konferenca e Rektorëve duhet dëgjuar dhe ligji i ri i shkencës duhet ndaluar urgjentisht të avancojë në procesin parlamentar! Në mbështetje të Konferencës së Rektorëve, të cilët kundërshtojnë projektligjin e ri për kërkimin shkencor. Duke e cilësuar tërërsisht të drejtë shqetësimin e tyre për ndryshimin e draftit, në mungesë të plotë transparence dhe me arrogancën shpërfillëse që e karakterizon këtë maxhorancë, shpreh dakordësinë e plotë me qëndrimin kundër këtij projektligji që shkel autonominë universitare dhe e bën shkencën monopol të qeverisë.

Por si në çdo konsultim sa për procedurë që bën kjo qeveri me grupet e interesit, edhe në këtë rast nuk ka marrë parasysh opinionet e botës akademike dhe nuk i ka reflektuar në draftin final. Në letrën e rektorëve të institucioneve të arsimit të lartë, publike dhe private në vend, dërguar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, thuhet:

“Për këtë projektligj është punuar së bashku me përfaqësues të Konferencës së Rektorëve dhe për projektet e rishikuara, mbi bazën e komenteve te dërguara nga ana jone, ka patur reflektime të herëpashershme. Me shqetësim konstatojmë se projektligji që ju keni në shqyrtim, është një variant shumë më ndryshe nga ai që është konsultuar me ne, duke ju rikthyer thuajse, variantit te parë të projektit fillestar, i kundërshtuar nga Konferenca e Rektorëve.

Në këto kushte do të kërkonim pezullimin e procedurave të miratimit të projektligjit dhe të pranoni në fillim të javës që vjen, komentet që do t’Ju dërgojë Konferenca e Rektorëve”shprehet në letrën dërguar Kuvendit, kryetari i konferencës së rektorëve, Prof.Dr Artan Hoxha.

Manovrat e qeverisë me këtë draft nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të kaluar me nxitim një ligj që kërkon që shkencën ta drejtojë Edi Rama. Në seancën dëgjimore të së hënës duhet dëgjuar zeri i botës akademike, pasi zëri i tyre është shumë më i fuqishëm se kjo qeveri që ka 11 vjet nuk financon dhe nuk mbështet kërkimin shkencor në Universitetet e vendit.