Vendosni fjalën kyçe....

18 persona të vrarë nga një sulm ajror izraelit në veri të Libanit


Izraeli ka zgjeruar objektivat e tij në luftën kundër milicisë Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban, duke vrarë të paktën 18 persona në një sulm ajror në qytetin me shumicë kristiane Aitou, në veri të vendit.

Sipas Kryqit të Kuq Libanez, sulmi goditi një shtëpi të marrë me qira për familjet e zhvendosura, raportoi kryetari i bashkisë së Aitou, Joseph Trad, përcjell Reuters.

Operacionet ushtarake izraelite në Liban janë përqendruar kryesisht në jug, në Luginën Bekaa në lindje dhe në periferitë e Bejrutit.

Në jug të Libanit, Izraeli ka urdhëruar banorët e 25 fshatrave të evakuohen në zonat në veri të lumit Awali, që rrjedh rreth 60 km në veri të kufirit izraelit.

Ushtria izraelite deklaroi gjithashtu se kishte vrarë Muhammad Kamel Naim, komandantin e njësisë së raketave kundër-tank të forcës elitare Radwan të Hezbollahut, në një sulm në zonën e Nabatiehit në jug të Libanit. Hezbollah nuk ka komentuar ende për këtë ngjarje.

Këto zhvillime ndodhin mes tensioneve midis Izraelit dhe forcës paqeruajtëse të OKB-së, UNIFIL, në jug të Libanit, ku ministri izraelit i energjisë, Eli Cohen, përsëriti thirrjen e kryeministrit Benjamin Netanyahu që trupat e OKB-së të largohen nga rajoni.