Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja paralajmëron Poloninë për planin “e papërshtatshëm” ndaj emigrantëve


Planet e reja të diskutueshme të Polonisë për të larguar emigrantët në kufirin me Bjellorusinë rrezikojnë të shkelin detyrimet e vendit për të drejtat e njeriut, paralajmëroi BE-ja të hënën në mëngjes.

Sipas propozimit polak të shpallur të shtunën nga kryeministri Donald Tusk, Varshava do prezantojë një strategji të re emigracioni duke përfshirë “pezullimin e përkohshëm territorial të së drejtës për azil”.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për POLITICO se vendet anëtare “kanë detyrime ndërkombëtare dhe të BE-së, duke përfshirë detyrimin për të siguruar qasje në procedurën e azilit”.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, një nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus Putin, ka inkurajuar në mënyrë aktive azilkërkuesit e mundshëm që të vijnë në vend, ku forcat e tij të sigurisë ndihmojnë në dërgimin e tyre në kufirin polak dhe më pas kundërshtojnë t’i lejojnë të kthehen prapa.

Është e paqartë se në cilat pjesë të kufirit polak do zbatohej masa e Tusk, ose si do ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Zëdhënësi i Komisionit shtoi: “Ne duhet të punojmë drejt një zgjidhjeje evropiane, një zgjidhje që qëndron e fortë kundër sulmeve hibride nga Putini dhe Lukashenko, pa kompromentuar vlerat tona.”

Zëdhënësi tha se kriza në rritje, e cila ka parë të paktën 26,000 njerëz nga Lindja e Mesme dhe Afrika të kalojnë në Poloni vetëm këtë vit, tregon se “ne nuk mund të lejojmë Rusinë dhe Bjellorusinë të përdorin vlerat tona, duke përfshirë të drejtën për azil, kundër nesh dhe të minojnë demokracitë tona.”