Në 93-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, Bashkia e Tiranës ka inauguruar “Shtëpinë Studio Agolli”, e cila është pjesë e strukturës muzeu “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”. Ky muze do të paraqesë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, duke pasqyruar jetesën dhe veprën e Agollit, një nga shkrimtarët më të njohur të vendit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në hapjen e këtij muzeu, shprehu emocionet e tij për këtë rikthim në një hapësirë që përfaqëson një “zyrë pritjeje” për popullin shqiptar. Ai theksoi se familja e Dritëro Agollit përfshin të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duke e bërë këtë hapësirë një oaz për reflektim dhe njohje.
“Jam vërtet i emocionuar sepse është një rikthim në një hapësirë për qytetin. Më shumë se shtëpia e tij, kjo ka qenë një zyrë pritje e popullit, aspak tradicionale.
Njerëzit te Dritëroi shihnin një institucion. Ne të gjithë kemi ecur mbi supet e gjigantëve, prandaj jemi këtu sot. Pa supet e tyre, ne do kishim ngelur akoma një vend i shtypur, i izoluar.
Ndaj, do të doja shumë që ky vend të ishte një oaz refektimi. Sot familja e Dritëroit është gjithë Tirana, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, edhe të huajt që kanë një tërheqje për të njohur vendin tonë, nga ky turizëm i jashtëzakonshëm”, deklaroi Veliaj.
Elona Agolli, vajza e shkrimtarit, e vlerësoi nismën e Bashkisë dhe përkushtimin e Veliajt për realizimin e këtij projekti, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
“ Jam e nderuar të them dy fjalë edhe unë me rastin e përurimit të Shtëpisë Muze “Dritëro Agolli”, sot në këtë datë simbolike, ditën e lindjes së tij.
Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim që secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epokat e jetuara nga shkrimtari, por aty ndjehet edhe fryma e tij.
Në një poezi të hershme, Dritëroi e krahason shtëpinë e vjetër me librin (Biblën) dhe “muret pak t’i gërvishtni / zgjohen zërat dhe hijet flatërojnë si zogj nga ballkoni e kthehen sërishmi” shkruan ai.
Sot falënderoj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtar i këtij projekti të bukur. Ai në asnjë çast nuk ndali së besuari në misionin e lartë të nismës, edukues për brezat në radhë të parë, por edhe pasurues të shpirtit dhe nxitës të përparimit e civilizimit.
“Edhe djalli, thotë një proverb, nuk është aq i zi sa duket”. Jetuam në kohëra të vështira, ku frymëmarrjen e kishim të penguar, ku zërin e kishim pëshpërimë, ku dashurinë e shprehnim të cunguar. Por përsëri, jeta kishte edhe gazin e lindjes, të krijimit, të shijes së frutave, të përjetimit të emocioneve të bukura. Letërsia e krijuar nga më të mirët e kohës gëzonte jetët tona, arti i bukur ushqente ëndrrat e shpresat; dhe ky muze, pjesë e pasurisë muzeore të kryeqytetit tonë, arrin të dëshmojë edhe për anët e bukura të asaj kohe të errët, anën e buzëqeshur të asaj periudhe kur arti i madh ngrinte peshë zemrën e shpirtin.
Uroj shumë që përmes vizitës në këtë muze, vizitorë e kureshtarë, indiferentë qofshin apo dashamirës të skajshëm, skeptikë apo optimistë, të mund të kuptojnë, reflektojnë, përsiasin dhe të përfshihen shpirtërisht në dy epokat e jetuara aq vrullshëm nga shkrimtari dhe ati im, Dritëro. Vrullshëm, por me misionin e një qytetari të ndershëm, të prirur kah progresi dhe e mira e njerëzve, e popullit të tij, e vendit të tij. Faleminderit kryetar!
Faleminderit Elizabetës e cila me durim e përkushtim ka dëgjuar e lexuar shumë mbi Dritëroin, për ta pasur më të lehtë më pas konceptin arkitektonik të ndërtimit të muzeut.
Faleminderit Arba, edhe ajo e pranishme në çdo moment, e gatshme për të dhënë më të mirën e saj për këtë vepër.
Faleminderit Mirela, kemi pasur kundërshti e biseda të dashura gjithsesi së bashku, më ke bindur kur vështirë se dikush tjetër do të ndikonte në mendimet e mia, je udhëhequr gjithmonë në biseda nga e përtejmja e vetvetes. Je modeli i një drejtueseje të përkushtuar.
Ju falënderoj të gjithëve!