Vendosni fjalën kyçe....

Mbanin me forcë një të mitur afgan, në pranga 18-vjeçari në Shkodër


Një 16-vjeçar nga Afganistani, i dyshuar se ishte i trafikuar dhe mbajtur me forcë për të punuar, është shpëtuar nga policia në fshatin Berdicë e Mesme, Shkodër.

Policia arrestoi Alehandro Pashuku, 18 vjeç, dhe shpalli në kërkim vëllanë e tij, Kristjan Pashuku, për akuzën e “trafikimit të të miturve”.

Gjatë kontrollit në servisin e tyre, policia sekuestroi një armë zjarri automatik, një pistoletë imituese dhe municion. Operacioni, i koduar “Minoreni”, u organizua pas një informacioni nga Interpol Tirana dhe rezultoi në gjetjen e adoleshentit në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë dy persona të tjerë të lidhur me rastin për veprat penale të prodhimit dhe mbajtjes së armëve pa leje, si dhe përfshehje të të ardhurave dhe kontrabandë. Çështja po hetohet nga Prokuroria e Shkodrës për zbardhjen e plotë të situatës.

Njoftimi i policise

Mbanin me forcë një fëmijë të mitur 16-vjeçar, nga Afganistani (i dyshuar i trafikuar), për ta shfrytëzuar për punë, Policia vë në pranga një 18-vjeçar dhe shpall në kërkim vëllanë e tij. Gjithashtu, procedohen në gjendje të lirë vëllai tjetër dhe babai i këtyre shtetasve.

Gjatë kontrollit në servis, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas informacionit të marrë nga Interpol Tirana, për një minoren nga Afganistani, që mbahej me forcë, në një servis në fshatin Berdicë e Mesme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Minoreni”.

Në kuadër të operacionit u bë e mundur gjetja e minorenit, në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu:

-u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 18 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Mesme, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

-u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç (vëllai i 18-vjeçarit të arrestuar) banues në fshatin Bërdicë, për veprën penale “Trafikim i të miturve”;

-u proceduan në gjendje të lirë shtetasit L. P., 31 vjeç dhe A. P., 57 vjeç (vëllai tjetër dhe babai i 18-vjeçarit të arrestuar), të dy banues në fshatin Berdicë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin në pronësi të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, si dhe për kapjen e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Nderkaq 33-vjeçari Matheos Dërsniku, është arrestuar nga policia e Korçës për disa akuza, përfshirë shitjen e lëndëve narkotike dhe organizimin e lojërave të fatit. Ai ishte në kërkim pas një incidenti më 27 Shtator, ku nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar automjetin e tij.

Gjatë kontrollit në banesën e Dërsnikut, policia gjeti dhjetëra doza të dyshuar kokainë dhe një peshore elektronike. Hetimet tregojnë se ai dyshohet gjithashtu se ushtroi veprimtari të paligjshme lojrash fati përmes celularit. Materialet janë dorëzuar në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme. Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit “Sundimi i Ligjit”.