Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kritikuar qeverinë për projektligjin e ri për kërkimin shkencor, duke e quajtur atë një “dhuratë poshtëruese” për botën akademike. Në një postim në rrjetet sociale, Meta thekson se ky ligj do të dëmtojë lirinë akademike dhe autonominë universitare, duke e përkeqësuar situatën në arsimin shqiptar.
Ai publikoi gjithashtu shkresën e rektorit Artan Hoxha, duke e cilësuar atë si një fyerje për mendimet e Konferencës së Rektorëve, të cilat kërkohen vetëm për formë. Meta theksoi se Partia e Lirisë angazhohet për dyfishimin e buxhetit për arsimin dhe inovacionin, duke synuar të arrijë nivelin 5% të PBB-së për investime në arsim dhe kërkim shkencor.
Në përfundim, ai shprehu nevojën për të trajtuar degët e teknologjisë dhe informacionit me investime prioritare, për të përgatitur një fuqi të kualifikuar njerëzore dhe për të kthyer Shqipërinë në një fuqi eksportuese.
POSTIMI I PLOTË
Sezonin e ri universitar Qeveria e nis me një “dhuratë poshtëruese” duke bërë gati një ligj që poshtëron botën akademike dhe shkencore në vend.
Në krye të shkencës do të jetë vetë ai që shkatërroi çdo institucion kërkimor dhe shkencor, që shkatërroi lirinë akademike dhe autonominë universitare, që bën fushata intimiduese ndaj pedagogëve që kërkojnë të drejtat e tyre, që e ka çuar nivelin e buxhetimit për Arsimin më pak se gjysma e vendeve fqinje, që e rriti analfabetizmin funksional dhe ka gati zero fonde për kërkimin shkencor.
Kjo shkresë tregon edhe fyerjen ndaj mendimeve të Konferencës të Rektorëve, mendimi i të cilëve kërkohet vetëm për formalitet.
Për Partinë e Lirisë, Arsimi dhe investimi në Kapitalin Njerëzor, është një nga 5 Prioritetet tona madhore.
Partia e Lirisë angazhohet në programin e saj konkret për dyfishimin e nivelit të buxhetimit për Arsimin dhe Inovacionin, për të kaluar mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të rajonit.
Investimi në Arsim dhe Kërkim Shkencor do të jetë në nivelin 5% të PBB.
Mësuesia do të konsiderohet degë prioritare dhe do të shoqërohet me mbështetje financiare për studentët dhe mësuesit.
Do të trajtohen me investime prioritare degët e teknologjisë dhe informacionit.
Vetëm kështu përgatisim një fuqi të kualifikuar njerëzore për ta kthyer Shqipërinë në fuqi eksportuese.