Vendosni fjalën kyçe....

Panairi “Tirana Agro”, Veliaj: Blini produkte vendase, ndihmoni bizneset e vogla


Në Tiranë u zhvillua panairi “Tirana AgroFair”, një event që mblodhi fermerë nga e gjithë Shqipëria dhe biznese të ndryshme, për të prezantuar produktet e tyre të freskëta dhe autoktone, me vulën “Made in Albania”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë vizitës në panair, theksoi rëndësinë e mbështetjes së bizneseve të vogla dhe familjare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të blejnë produkte lokale.

“Ftesa është të blini produkte lokale, ndihmoni bizneset e vogla, ndihmoni bizneset familjare. Kush blen pak kafe, rakinë dhe verën, ose pak ushqime, nuk ka bërë vetëm shtrimin e tavolinës, ka ndihmuar edhe një vajzë të vogël që të blejë librat e shkollës, ka ndihmuar edhe një djalë të vogël që të blejë këpucët e para të futbollit. Ky biznes familjar duhet mbështetur jo vetëm nga Bashkia e Tiranës, por nga kushdo që i ka mundësitë”, u shpreh Veliaj.

Veliaj njoftoi edhe operacionin e zhvendosjes së pishave nga autostrada për zgjerimin e korsisë. Këto pisha do të mbillen në parqet e Liqenit të Tiranës, Farkës dhe Prushit, duke siguruar që asnjë pemë nuk humbet, por transferohet për të vazhduar të kontribuojë në gjelbërimin e qytetit.

“Kemi një operacion shumë të madh, që fillon sot dhe do të zgjasë disa ditë. Të gjithë pishat që hiqen nga autostrada për zgjerimin e korsisë do të mbillen në parkun e Liqenit të Tiranës, Farkës dhe të Prushit. Kështu, sigurohemi që asgjë nuk shkon dëm në këtë qytet, të gjithë mbështesim njëri-tjetrin dhe me këtë energji pozitive ecim të gjithë përpara”, theksoi Veliaj.