Serbia do shqyrtojë mundësinë e anëtarësimit në BRICS në vend të BE-së, e cila ka shtuar kërkesa gjithnjë e më të ashpra dhe nuk ka ofruar përparim drejt anëtarësimit, tha zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin.
Vendi aplikoi për t’u bashkuar me BE në vitin 2009 dhe ka qenë kandidat për anëtarësim që nga viti 2012. Gjatë viteve të ndërmjetme, Brukseli ka shtuar kërkesën që Beogradi të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe e lidhi pranimin e Serbisë në bllok me ndërprerjen e marrëdhënieve me Moskën dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Vetëm na thoni: ‘Ne nuk ju duam’”, tha Vulin për Berliner Zeitung në një intervistë të botuar të dielën. “Pse vijoni të na vendosni kushte që ne nuk mund t’i përmbushim? Ne e shohim BE-në si një partner, por nuk jemi plotësisht të sigurt se BE-ja na sheh si partner.”
Vulin i tha gazetës gjermane se presidenti rus Putin nuk e ka detyruar kurrë Serbinë të zgjedhë midis Brukselit dhe Moskës apo të ketë kërcënuar se do ndërpresë marrëdhëniet nëse Beogradi fillon bisedimet e pranimit në BE.
“Në të njëjtën kohë, negociatorët e BE-së po na thonë: ‘Nëse nuk i prishni marrëdhëniet me Rusinë, nuk do anëtarësoheni në BE’”, u ankua ai.
“Pra jemi partnerë apo jo? Apo nuk kemi të drejtë për interesat tona?”
Serbia do marrë pjesë në samitin e BRICS në qytetin rus të Kazanit më vonë këtë muaj, me synimin për t’iu bashkuar grupit ekonomik në rritje.
“Do ishte e papërgjegjshme nëse nuk do eksploronim të gjitha mundësitë, duke përfshirë anëtarësimin në BRICS”, tha Vulin.
“Nëse BRICS është tërheqës për vendet e tjera, për shembull Emiratet, Arabinë Saudite apo Turqinë, pse duhet të jetë ndryshe për Serbinë? Nuk ka dyshim se BRICS është bërë një alternativë e vërtetë për BE-në.”
Që kur u krijua për herë të parë në vitin 2001 si koncept, BRICS është rritur nga një akronim në një aleancë informale përkundrejt bllokut G7 të udhëhequr nga SHBA-ja, ka bankën e vet të zhvillimit dhe është zgjeruar nga katër anëtarë në 2006 – Brazili, Rusia, India dhe Kina – në pesë duke përfshirë Afrikën e Jugut në 2011.
Këtë vit, katër vende të tjera – Egjipti, Irani, Etiopia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – u bënë zyrtarisht anëtarë të grupit, me Arabinë Saudite që aktualisht po përmbyll procesin e pranimit.
Në shtator, ndihmësi i presidentit rus Yury Ushakov konfirmoi se Turqia kishte aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar me BRICS, duke u bërë shteti i parë i NATO-s që e bën këtë.
Azerbajxhani, Algjeria, Vietnami, Indonezia, Pakistani, Malajzia, Nigeria, Tajlanda, Venezuela, Kazakistani, Palestina, DR Kongoja, Gaboni, Bangladeshi, Bahreini, Kuvajti, Senegali dhe Bolivia janë ndër vendet e tjera që kanë shprehur dëshirën për t’iu bashkuar BRICS .