Kancelari gjerman Olaf Scholz organizoi sot në Berlin takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për të shënuar 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, një iniciativë e filluar në vitin 2014 nga ish-kancelarja Angela Merkel. Ky samit po ashtu përfshin zyrtarë dhe përfaqësues të vendeve të Bashkimit Evropian, me fokus në thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe promovimin e një axhende të gjelbër për Ballkanin.
Në këtë takim pritet të miratohet një plan i ri për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe një marrëveshje për lehtësimin e studimeve mes vendeve të rajonit. Qendra e samitit është një marrëveshje që do të lehtësojë shkëmbimin e studentëve dhe qasjen në institucionet arsimore të Ballkanit, duke thjeshtuar njohjen e kualifikimeve akademike dhe diplomave universitare.
Për më tepër, pritet të miratohet një plan veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili synon të harmonizojë standardet sociale dhe të punës, si dhe të lehtësojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit. Sipas burimeve nga qeveria gjermane, një temë tjetër në axhendë është zhbllokimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), që do të forcojë më tej bashkëpunimin tregtar në rajon.
Kryeministri i vendit Edi Rama ka publikuar një foto gjatë samitit që po mbahet në Berlin.
Rama ndodhet pranë kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe ministren e jashtme gjermane.
Gjatë hapjes së samitit të Procesit të Berlinit kancelari gjerman, Olaf Scholz lavdëroi përparimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal.
Ai vuri theks të veçantë në kontributin e Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
“Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes së CEFTA-s është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal”, theksoi Scholz.