Vendosni fjalën kyçe....

Siguria në Adriatik, ministri Vengu takon komandantin e Forcave Detare italiane


Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi një vizitë në bordin e një prej anijeve të flotës luftarake italiane të ankoruara në brigjet shqiptare.

Atje Vengu u prit nga komandanti i Forcave Detare italiane, admirali Enrico Credendino.

Vengu njoftoi se një nga temat e takimit ishte siguria e përbashkët në Adriatik, me fokus në misionet e përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe nismës ADRION.

Ndërsa një pikë tjetër e rëndësishme e bisedës, ishte mbështetja dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.

 “Investimi në trajnimin dhe profesionalizimin e ushtarakëve tanë është prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes, dhe jam i lumtur që homologët tanë italianë do të vazhdojnë të na mbështesin në këtë drejtim”, u shpreh Vengu.

Ministri nënvizoi se “ky bashkëpunim i fortë në të dy anët e Adriatikut, përmes misioneve, stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta, forcon edhe më tej marrëdhëniet tona në fushën e sigurisë detare”.