Vendosni fjalën kyçe....

Artan Sako, vëllai i ish-Komandantit të Gardës Gramoz Sakos, thirret në SPAK


Biznesmeni Artan Sako, vëllai i ish-drejtorit të Gardës së Republikës Gramoz Sakos, është paraqitur në SPAK këtë të hënë (14 tetor) ku mësohet se ka qëndruar për rreth një orë.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se Sako është pyetur në cilësinë e personit në dijeni, por ende nuk dihet zyrtarisht rreth çështjes për të cilën po heton SPAK.

Artan Sako është lakuar shpesh për aktivitetin e tij, ku në të paktën dy procedime të mëparshme të SPAK, kompania që posedon rezulton se ka marrë pjesë në tendera publik.

E para, ka të bëjë me hetimet për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberin, teksa ky i fundit ra në pranga për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Emri i Sakos përmendej në procedurat e një tenderi, që iu dha kompanisë të tij të quajtur “2 T” për mirëmbajtje rruge, ku në garë ishte vetëm kompania në fjalë dhe u shpall fituese me ofertën 99% të fondit limit.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, “2T” është në pronësi të Dritan Troksit dhe Artan Sakos. Objekt i tenderit të ARRSH-së ku “2 T” u shpall fituese, kishte “mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore të tre rajoneve”, Qendror dhe Juglindor me një vlerë rreth 50 milionë euro, ndërkohë loti 3, ka një vlerë totale 1.455.726.087 lekë me TVSH, ose rreth 12 milionë euro.

SPAK nuk e konfirmon zyrtarisht që Sako dha deklarime këtë të hënë për këtë çështje.

Ndërkohë çështja e dytë ku është lakuar emri i Artan Sakos, ka të bëjë me nënkontraktimin e kompanisë së tij nga kompania koncensionare SaniService pa miratimin e autoritetit kontraktor, Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me tenderin e sterilizimit. Por kjo dosje tashmë ndodhet në gjykatë.