Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç valëvit flamurin serb e rus në stadium, politikani: Ai do jetë perherë bashkëpunëtor rus


Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, u pa në stadiumin e Leskocit gjatë ndeshjes mes Zvicrës dhe Serbisë, ku festoi duke nxjerrë një flamur të kombinuar të Serbisë dhe Rusisë.

Në videon e publikuar nga politikani Nikola Sandulovic, Vuçiç shpalos flamurin me krenari, gjest që është cilësuar si “antiperëndimor” dhe “provokues”.

Ky veprim vjen në një moment të rëndësishëm, pasi Serbia arriti të fitojë ndeshjen me rezultat 2:0, duke shënuar kështu triumfin e saj të parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Sandulovic komentoi se Vuçiç po manipulohet me premtime të gabuara për t’i blerë kohë Perëndimit, duke e quajtur atë një “diktator” dhe një “bashkëpunëtor besnik” të Rusisë.

Ai theksoi se ky gjest shërben si një mesazh për popullsinë serbe, duke theksuar se Serbia do të vazhdojë të jetë aleate e Rusisë, veçanërisht në kontekstin e përpjekjeve për të influencuar politikën perëndimore.

Në stadium, përveç Vuçiç, ishte i pranishëm edhe presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik. Incidenti ka ngjallur diskutime të gjera në mediat sociale dhe analistët e politikës ndërkombëtare e shohin si një mesazh të qartë për ndikimin e Rusisë në rajon.

“Nuk e di se çfarë duhet të bëjë më shumë diktatori serb Aleksandar Vuçiq që Evropa dhe Amerika të kuptojnë se ai po luan me ta në gënjeshtrat dhe premtimet e pafundme që u jep, duke blerë kështu kohë për përballjen përfundimtare me ta! Ai ishte, mbeti dhe do të jetë përgjithmonë një pasardhës rus dhe bashkëpunëtor besnik i tyre!

Në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Zvicrës, në shoqërinë e agjentit të Putinit, Milorad Dodik, Aleksandar Vuçiq nxori nga xhepi dhe shpalosi flamujt e kombinuar të Serbisë dhe Rusisë!

Një mesazh i qartë për popullsinë e Serbisë se si të interpretohen lëvizjet e tij të fundit politike: “Ne ishim dhe do të jemi aleatët e Rusisë, sidomos tani që po përpiqemi të jemi kali “Trojan” i Rusisë në Perëndim”!

Perëndimi ende nuk e kupton thellësinë e ndikimit rus në Serbi dhe se vendimet formale nuk do të thonë asgjë për politikën që është thellësisht e sinkronizuar me Kremlinin.

Të gjitha lëvizjet e fundit politike (blerja e avionëve Rafal, “mesazhet evropiane”, litiumi..) janë të koordinuara me Moskën, ku nënkryetarët e qeverisë serbe patën takime të gjata me lidershipin më të lartë të Rusisë (Putin, Reshetnikov, Shoigu, Denis Manturov) para ÇDO vendimi dhe mesazhi politik “properëndimor” të marrë nga Aleksandar Vuçiq.

Tani, pas takimeve me administratën amerikane, Vuçiq valëvit flamurin rus me mesazhin: “Nuk do të më shihni kurrë duke valëvitur flamurin europian apo amerikan”.