Gjermania ka kundërshtuar t’i japë armë Izraelit nëse ky i fundit nuk jep garanci me shkrim se ato nuk do përdoren për të goditur civilët në Gaza, kanë raportuar mediat në pronësi të shtëpisë botuese gjermane “Axel Springer”.
Berlini, që nuk ka miratuar asnjë shitje armësh për Izraelin që nga marsi, bllokoi shitjet e armëve pavarësisht këmbënguljes se shteti hebre nuk ishte nën një embargo armësh, raportoi të hënën Politico, duke konfirmuar një histori të botuar gjatë fundjavës nga tabloidi gjerman Bild.
Sipas Bild, ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe ministri i Ekonomisë Robert Habeck ishin ata që “bllokuan dërgesat e reja”. Politikanët e rangut të lartë nga Partia e Gjelbër thuhet se donin që Izraeli të premtonte se armët nuk do përdoreshin kundër civilëve në Gaza.
“Qeveria izraelite duhet t’i japë qeverisë gjermane një garanci me shkrim se eksportet e armëve nga Gjermania nuk do përdoren për gjenocid,” tha Bild, duke cituar burime në qarqet qeveritare dhe të mbrojtjes. Jerusalemi Perëndimor thuhet se dha garancitë e nevojshme të enjten.
Ligji gjerman ndalon dërgimin e armëve në vendet ku ekziston rreziku që ato të përdoren kundër civilëve.
Zbulimet nxitën kritika nga opozita dhe Partia Demokratike e Lirë në pushtet, me politikanë të shumtë që u bënë thirrje të Gjelbërve dhe kancelarit Olaf Scholz të sqarojnë gjedjen me eksportet e armëve.
“Scholz, si kryetar i Këshillit Federal të Sigurimit, mban gjithashtu përgjegjësi,” tha për Bild Friedrich Merz, kreu i Unionit Kristian Demokrat.
Baerbock ka mbështetur publikisht të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por theksoi në një fjalim javën e kaluar se “e drejta ndërkombëtare humanitare dhe e drejta e Izraelit për të ekzistuar janë të lidhura pazgjidhshmërisht”.
Izraeli është akuzuar për shënjestrimin pa dallim të civilëve në Gaza, ku më shumë se 42,000 palestinezë janë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve midis Hamasit dhe Izraelit në tetor 2023. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) i kanë hedhur poshtë akuzat për kryerjen e gjenocidit si “absurde”. duke argumentuar se Hamasi po përdorte civilët palestinezë si mburoja njerëzore.