21 deputetë të legjislaturës së tanishme kanë dorëzuar ose humbur mandatin me tre të tjerë që janë në listën e pritjes. 13 nga deputetët janë të PS-së, 10 të PD-s dhe 1 i PSD-së.
Sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Studimeve Politike, një pjesë e deputetëve kanë dorëzuar mandatin lidhur me hetimet e SPAK-ut ndaj tyre, qenies në listën non grata të SHBA-së apo dënimeve nga gjykatat ndërsa disa të tjerë u janë rikthyer biznesve familjare.
“Në mandatin e tretë të PS në qeverisje dhe në legjislaturën e 10-të të tranzicionit, kemi 21 deputetë që kanë ndërprerë kontratën e besimit me qytetarët votues (2021) dhe 3 të tjerë që mund ta humbasin mandatin në muajt e ardhshëm. Në total, rreth 160 mijë vota ose rreth 10% e votave të dhëna më 2021 nuk përfaqëson më në parlament. Disa dhanë dorëheqje menjëherë pas zgjedhjes (informacione paraprake për hetim nga SPAK, për qenie në listën e zezë amerikane apo arsye të tjera të komoditetit personal), disa dhanë dorëheqje gjatë mandatit duke iu rikthyer bizneseve më fitimprurëse, disa u detyruan të japin dorëheqje pas skandaleve personale apo familjare dhe disa u detyruan për shkak të hetimeve nga SPAK apo dënimeve nga sistemi i drejtësisë”, thuhet në raportin e ISP-së.
Sipas raportit, përfshirja në krye të listave të individëve me rekorde kriminale apo korruptive, me lidhje të forta informale dhe me dosje hetimore në proces, bëhet me qëllim për të përfituar votat e tyre klienteliste në zonë, me dijeni dhe ndërgjegje, duke injoruar standardet ligjore, politike dhe etike për integritetin e partive, integritetin e votës dhe integritetin e fushatës.