Deputetët e opozitës kane njoftuar një protestë të rëndësishme përpara Parlamentit Europian në Strasburg më 23 tetor.
Kjo protestë përkon me seancën plenare të PE-së dhe përbën një rast të veçantë, pasi është hera e parë që deputetë të një force politike protestojnë para institucioneve europiane.
Belind Këlliçi ditën e protestës deklaroi se do të protestojnë para institucioneve ndërkombëtare.
“Protesta do të përshkallëzohet. Nuk është e thënë se do të bëhet vetëm në sheshe dhe rrugët e kryeqytetit, do ta zhvendosim te Kuvendi, para Parlamentit Europian, para Komisionit Europian. Do të zhvillohet aty ku ka partnerë që duhet të informohen për realitetin ku ndodhet Shqipëria. Shqipëria është kthyer në narko-shtet”, deklaroi Këlliçi më 7 tetor në një intervistë për emisionin Open në News24.
Gjithashtu Belind Këlliçi, i ftuar në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN me 8 tetor, tregoi se po diskutohet mundësia e mbajtjes së një proteste në Parlamentin Europian nga deputetët e PD-së.
“Besoj brenda javës tjetër do të kemi protestën e radhës. Po diskutohen disa formate. Është hedhur ideja nga një grup deputetësh për të shkuar të protestojmë para Parlamentit Europian, ku të shkojnë jo vetëm 24 deputetët e përjashtuar, por të gjithë grupi parlamentar i deputetëve dhe shqiptarët që jetojnë në Bruksel për të ndërgjegjësuar PE-së për situatën që ndodhet Shqipëria. Kjo është një ide, por jo një vendim i marrë. Gjithsesi, unë mendoj se do të bënin gjënë e duhur nëse do ta merrnin këtë nismë.
Po ashtu, diskutohet për një aksion tjetër konkret në parlament, por duke qenë se kemi 24 deputetë të përjashtuar, balancat nuk janë ato që duhet të ishin. Po diskutohet zhvendosja e protestës në një nga qarqet e rëndësishme të vendit, aty ku po ndodh një nga aferat më korruptive pas aferës së famshme të inceneratorëve. Brenda javës tjetër do të vazhdojë aksioni”, tha Këlliçi në Debat.