Vendosni fjalën kyçe....

Guvernatori Sejko takim me zyrtarin francez: Sistemi financiar me nivele të kënaqshme likuiditeti


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Shefin e Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, pranë Ambasadës së Republikës Franceze, Pierre Grandjouan, rezident në Beograd.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë prezantoi Pierre Grandjouan me zhvillimet ekonomike në vend, ku theksoi se rritja ekonomike është në trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike pritet të forcohen në vitet e ardhshme.

Lidhur me sistemin financiar, Guvernatori Sejko u shpreh se ai karakterizohet nga nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti. Guvernatori u ndal gjithashtu në panoramën e sektorit bankar, ku veçoi dy elemente kyçe, rritjen e kreditimit dhe përmirësimin e treguesit të kredive me probleme.

Shefi i Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, Grandjouan, falënderoi Guvernatorin Sejko për takimin dhe shprehu vlerësimet e tij për kontributin e vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Në vijim, ai e uroi Guvernatorin Sejko për hapjen zyrtare të negociatave për Grup-Kapitujt me Bashkimin Evropian, e cila shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit me BE-në.

Grandjouan vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit.

Ai theksoi se politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar pozitivisht, duke ruajtur inflacionin më të ulët dhe rritjen ekonomike më të lartë në rajon. Gjithashtu, ai shtoi se regjimi i lirë i kursit të këmbimit mbetet mjaft i përshtatshëm kur kërkesa dhe oferta përcaktohet nga vetë tregu.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, nëpërmjet projekteve potenciale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si ai financiar, infrastrukturor dhe rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Gjithashtu ata dakordësuan se Banka e Shqipërisë dhe Banka e Francës do të vijojnë bashkëpunimin në fusha, si: konvergjenca e legjislacionit me standardet evropiane, qeverisja e bankës qendrore, etj., dhe Banka e Francës do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Bankën e Shqipërisë, për përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe adoptimin e standardeve ndërkombëtare të bankingut qendror, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane.