Vendosni fjalën kyçe....

Italia do marrë 3.5 miliardë euro nga bankat për të financuar buxhetin


Qeveria e Italisë planifikon të mbledhë 3.5 miliardë euro nga bankat dhe kompaanitë vendase të sigurimit, tha të martën kryeministrja Giorgia Meloni pasi kabineti i saj miratoi planet buxhetore për tre vitet e ardhshme.

Paratë e mbledhura do caktohen për shërbimin shëndetësor kombëtar dhe më të rrezikuarit, shkruan Meloni në platformën e mediave sociale X.

Zyrtarët thanë më parë se taksa mbi sektorin financiar do rrjedhë nga një ndryshim në taksimin e opsioneve të aksioneve për menaxherët dhe në rregullat që rregullojnë kreditë tatimore të bankave që rrjedhin nga humbjet e kaluara, të njohura si aktive tatimore të shtyra.

Banka dhe kompanitë më të mëdha të sigurimeve të Italisë përfshijnë Intesa Sanpaolo, UniCredit, Banco BPM, Monte dei Paschi di Siena dhe Generali.

Thesari tha në një deklaratë se buxheti për vitin 2025 përfshin masa me vlerë 30 miliardë euro, kryesisht shkurtime të përhershme të tatimit mbi të ardhurat dhe kontributet sociale për personat me të ardhura të mesme dhe të ulëta.

Roma ka thënë se do zgjerojë deficitin e vitit të ardhshëm në 3.3% të prodhimit të brendshëm bruto nga 2.9% e vlerësuar bazuar në tendencat aktuale, duke marrë hua 9 miliardë euro shtesë për të financuar paketën.

Diskutimet për një taksë bankare ishin rrotulluar për javë të tëra dhe rëndonin mbi aksionet e huadhënësve në mungesë të qartësisë nga qeveria.

Ministri i Ekonomisë Giancarlo Giorgetti javën e kaluar tha se një kontribut nga bankat “nuk duhet të konsiderohet blasfemi”.

Italia vitin e kaluar tronditi tregjet duke vendosur një taksë prej 40% mbi fitimet e papritura të bankave, poru tërhoq më  pas duke kufizuar qëllimin e taksës dhe duke i dhënë huadhënësve një klauzolë përjashtimi që do të thoshte se në fund ajo solli zero euro për arkën e shtetit.

Taksa e re bankare “nuk do i trembë tregjet”, shkroi ministri i Jashtëm Antonio Tajani në X.

Për vitin 2025, qeveria planifikon gjithashtu të rrisë akcizat për naftën dhe të eliminojë disa lehtësira tatimore për kompanitë që lidhen me taksën kryesore të korporatës IRES, sipas zyrtarëve.