Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli godet lagje të Bejrutit pavarësisht paralajmërimit amerikan


Të paktën një raketë izraelite ka goditur lagjet në jug të Bejrutit në orët e para të së mërkurës, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kundërshtojnë shkallën e sulmeve izraelite në këtë qytet.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se janë dëgjuar dy shpërthime dhe tymi është parë duke dalë prej dy lagjeve në Bejrut.

Sulmet kanë ndodhur pasi Izraeli ka lëshuar urdhra për evakuim, herët në mëngjes.

Në ditët e fundit, ushtria izraelite ka kryer sulme në jug të Bejrutit, pa ndonjë paralajmërim.

Ushtria izraelite, në anën tjetër, ka thënë se ka kryer sulm drejt një magazine të armëve të Hezbollahut në lagjen Daniheh të Bejrutit.

“Para sulmit janë marrë hapa për të ulur rrezikun e dëmtimit të civilëve”, ka thënë ushtria izraelite.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Thirrjet për evakuim kanë prekur më shumë se çerekun e Libanit, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, dy javë pasi Izraeli ka nisur inkursion në jug të shtetit, me arsyetimin se po lufton infrastrukturën e Hezbollahut.

Disa shtete perëndimore po kërkojnë armëpushim mes fqinjëve, por edhe në Gazë, ndonëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Izraelin dhe do të dërgojnë sisteme për mbrojtje raketore dhe trupa ushtarake.

Të martën, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se SHBA-ja ia ka shprehur shqetësimet që ka administratës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për sulmet e kryera së fundmi.

“Kur flasim për shkallën dhe natyrën e bombardimeve që kemi parë në Bejrut në javët e fundit, është diçka që e kemi bërë të qartë për Qeverinë e Izraelit, se ne kemi shqetësime dhe jemi kundër”, u ka thënë ai gazetarëve.

Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, ka thënë të martën se kontaktet e tij me zyrtarë amerikanë i kanë dhënë “një lloj garancie” që Izraeli do t’i zvogëlojë sulmet në Bejrut dhe lagjet më në jug.

Bejruti është goditur për herë të fundit më 10 tetor, kur dy sulme afër qendrës së qytetit kanë vrarë 22 njerëz dhe kanë shembur ndërtesa në zona të banueshme.

Burimet libaneze të sigurisë patën thënë ato ditë se zyrtari i Hezbollahut, Wafiq Safa ka qenë në shënjesër, por që ka mbijetuar.

Izraeli nuk i ka komentuar këto deklarata.

Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë./REL