Disa qytetarë kanë protestuar në Gjadër të Lezhës pas mbërritjes së anijes së parë italiane me emigrantë në portin e Shëngjinit.
Ata u mblodhën para hyrjes së kampit të ndërtuar nga autoritetet italiane që do presë e trajtojë emigrantët. Banorët mbanin në dorë një pankarët ku shkruhej “The European dream ends here” si dhe një poster të kryeministrit Rama e homologes italiane Meloni me uniforma policie.
Ata kanë shprehur pakënaqësinë për mbërritjen e emigrantëve të paligjshëm që sipas tyre do rrezikojnë sigurinë dhe qetësinë e komunitetit lokal dhe do i sjellin dëm turizmit vendas.
Anija ushtarake italiane solli mëngjesin e sotëm 16 emigrantë të paligjshëm nga Egjipti e Bangladeshi që u kapën në det pa zbarkuar në tokë italiane.
Marrëveshja Rama-Meloni u nënshkrua në Romë më 6 nëntor 2023 dhe parashikon pritjen dhe trajtimin e emigrantëve meshkuj të kapur në det.
Ata do qëndrojnë në Shqipëri në pritje të përfundimit të procedurave të azilit ndërsa shpenzimet për qëndrimin, ushqimin dhe trajtimin e tyre i ka marrë përsipër pala italiane me Shqipërinë që garanton vetëm sigurinë e perimetrit të qendrës pritëse.
*Video marrë nga Syri