Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Koçiu: Qendrat shëndetësore verore tjetër sukses, 80 mijë pushues morën shërbim


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot nga Vlora se “shërbimi shëndetësor në destinacionet turistike ishte një tjetër sukses i këtij sezoni fantastik për Shqipërinë”.

Për sezonin turistik veror 2024, 34 Qendra Shëndetësore Verore kanë ofruar shërbim shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës pranë zonave më të frekuentuara turistike të shpërndara gjeografikisht në të gjithë Shqipërinë.

Ministrja Koçiu bëri të ditur se nga 1 qershori deri më 30 shtator, 34 qendra shëndetësore verore realizuan 80,765 vizita mjekësore, ku 32% u kryen për shtetas të huaj.

“Këtë vit risia ishte që ne hapëm qendrat shëndetësore verore nga 1 qershor deri në 30 shtator duke shtyrë kohëzgjatjen e funksionimit me 1 muaj të qendrave shëndetësore verore pranë pikave kryesore me fluks të lartë turistësh. 34 qendra shëndetësore, 4 më shumë se vjet që na treguan se ishte domosdoshmëri hapja e këtyre qendrave pasi fluksi i turistëve vendas dhe të huaj që erdhë për të marrë shërbime dhe këshillime mjekëosre, por edhe për të bërë ndërhyrje të vogla mikrokirurgjikale ishte një numër që na tregoi në të vërtetë se janë të rëndësishme shërbimet shëndetësore me staf të specializuara pranë vendeve ky qytetarët erdhën për të pushuar”, u shpreh ministrja.

Koçiu shtoi se Qendrat Shëndetësore verore që pritën edhe fluksin më të madh ishin në Velipojë, Mali i Robit dhe Orikum.

Ministrja vlerësoi punën e stafeve shëndetësore të angazhuara në këto qendra duke ju shërbyer turistëve me profesionalizëm dhe përkushtim.

“Janë rreth 80 mijë vizita që përballuan Qendrat Shëndetësore verore. Një rritje me afro 20% nga viti i shkuar gjë që tregoi se duhet të vlerësojmë ato pika turistike të cilat patën ngarkesë dhe do duhet të shtohet staf apo të mendohet hapja edhe e ndonjë pike tjetër të afërt me qëllim përballimin e fluksit. Trendi është që Shqipëria do jetë destinacion turistik gjatë gjithë vitit dhe ne të marrim masat që jo vetëm zonat bregdetare, por edhe ato malore të kenë asistencën e nevojshme shëndetësore për çdo rast”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Gjatë këtij viti është shënuar dhe një numër i lartë turistësh të cilët kanë marrë shërbim pranë QSH-ve verore edhe gjatë muajit shtator me një rritje prej 57% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për sezonin turistik u angazhuan rreth 2100 mjekë, infermierë dhe staf mbështetës pranë qendrave shëndetësore verore nga veriu në jug të vendit.