Kryetari i grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali kanë replikuar në distancë lidhur me trazirat që shkaktuan deputetët e opozitës në Kuvend.
Spiropali me anë të një reagimi në rrjetet sociale, dënoi aktet e opozitës në kuadër të mosbindjes civile.
“Asgjë më e largët me përmbajtjen e thellë morale dhe formën cfilitëse të durimit të mosbindjes civile, nuk mund të imagjinohet dot, se sa përçudnimi i dhimbshëm i opozitarizmit politik e mediatik të kësaj vjeshte. Keqardhje e madhe! Por sidoqoftë, forca e dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi nga opozitarët tanë në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt”-tha në reagimin e saj Spiropali.
Bardhi nga ana tjetër sa herë replikon me Spiropalin apo përplaset me të i përmend Pëllumb Gjokën të akuzuar dhe arrestuar nga SPAK-u për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafik droge.
“Na paska dhënë leksion nga burgu Pëllumb Gjoka përmes zyrës për shtyp të Kuvendit se cili është kuptimi filozofik i “mosbindjes civile”! Mosbindja civile në kuptimin e Pëllumbave në Kuvend është që krimi i organizuar të shpërfill ligjin dhe të mbretërojë në çdo institucion! Por realisht, mosbindja civile nuk është ti ulesh në gjunjë Pëllumb Gjokës! As krimit të organizuar”, shkruan Bardhi.