Vendosni fjalën kyçe....

Gardh hekuri e përplasje me Gardën jashtë, sharje e shtyrje brenda, ç’ndodhi në seancën e sotme në Kuvend


Parlamenti i rrethuar me gardh hekuri, forca të shumta policie, punonjës të Gardës e makina zjarrfikëse.

Këto ishin pamjet përreth Kuvendit mëngjesin e sotëm pas dy seancave të mbushura me tensione e përplasje të ashpra mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së.

Ndryshe nga hera e fundit, kësaj radhe deputetët e PS-së u futën brenda sallës 90 minuta para nisjes së seancës me demokratët që nisën të afrohen më vonë.

Në hyrje të Kuvendit, deputetë Noka, Bardhi, Nallbati, Sula Korreshi e të tjerë u përplasën me punonjësit e Gadrës dhe u përpiqën më shumë se një herë të shkulin e kapërcejnë gardhin prej hekuri që i ndante nga salla.

Gazment Bardhi në hyrjen e Kuvendit i kërkoi një punonjësi të Gardës të hapte rrugën, duke shprehur irritim për situatën. 

“Hape rrugën sepse do të kalojën zonjat. Ç’më shikon ashtu mendon se ta kam frikën? Legen, ku mendon se do të kalojnë mes këmbëve? Kjo është fytyra e vërtete e hapjes së kapitujve të parë”, ju drejtua Bardhi një punonjësi të Gardës.

Një prej deputetëve të PD-së, Dashnor Sula tentoi të hyjë në parlament nga hyrjet anësore, por menjëherë një numër i madh gardistësh u vendosën para tij për të mos e lejuar.

 

 

Disa deputetë të PD-së u futen në seancë duke kaluar gardhin e vendosur nga punonjësit e Gardës. Ata u përplasen me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali dhe deputetë socialistë, ndërsa Spiropali u kërkoi të dalin jashtë pasi sipas saj po rrezikonin jetët e deputetëve.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, gjithashtu përshëndeti çeljen e grup-kapitullit të parë të negociatave Shqipëri-BE gjatë seancës së sotme plenare.

Ajo theksoi rëndësinë e konferencës së dytë ndërqeveritare të mbajtur në Luksemburg më 15 tetor, e cila simbolizon një hap të madh përpara drejt realizimit të ëndrrës për integrim në Evropë.

Ajo ftoi opozitën që pavarësisht bindjeve të tyre politike të bëhen së bashku në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve.

 

Ndërkaq edhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i bëri thirrje Partisë Demokratike që të lejojë deputetët e padënuar të hyjnë në sallë.

Ai theksoi se aktualisht diskutimet duhet të përqendrohen në të ardhmen e Shqipërisë dhe jo në të shkuarën.

Brace kujtoi se kur ai hyri për herë të parë në Kuvend në vitin 1997, vendi ishte në një situatë të tensionuar, duke theksuar se historia po përsëritet në një formë komike.

Ai shprehu nevojën për një bashkëpunim konstruktiv për të avancuar vendin drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Këtu ka 2 votë, një që kërkon të mbajë vendin në të shkuarën dhe një që punon për të ardhmen.

Unë kam hyrë në Kuvend i larë në gjak dhe kur kam hyrë në këtë sallë në 1997 Tirana nuk ishte më gardh hekuri për të rregulluar hyrjen e disa njërëze që duhet të hyjnë normalisht, por ishte në shtetrrethim.

Kreu i PD vinte këtu e na sulmonte ne. Historia përsëritet, por sot po përsëritet komike”, u shpreh Braçe.

Nga ana tjeter deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, e cilësoi situatën aktuale në Kuvend si tragjikomike, duke theksuar se deputetët po përballen me vështirësi për të hyrë në sallë.

Ai e kritikoi përdorimin e gardhit dhe prani të forcave të sigurisë, duke thënë se kjo situatë nuk ndodh në asnjë vend evropian.

“Tragjikomike, nuk ka bërë vaki ndonjëherë të jetë me gardh hekurit.

I kanë braktisur të gjitha e janë këtu. Garda, FNSH, RENEA. Këta kanë dalë jashtë orbite mor burrë. Kam hyrë në PE, as dedektorë asgjë, këtu këta të presin si kafshë, a thua se është pronë e Spiropalit.

Duhet të hiqen këto. Këta janë kapitujt e parë të hyrjes në Europë”, tha Korreshi.

Deputetja e PD Elda Hoti u përjashtua nga seanca plenare pasi hodhi një karrige dhe tavolinë një lëng.

Elisa Spiropali ndërpreu seancën për 10 minuta pasi dyshoi që lëngu që hodhi Elda Hoti mund të ishte benzinë.

Ndërkohë për mediat Hoti u shpreh se lënda ishte thjeshtë aromatizues, dhe nuk i trembet as kërcënimeve të mazhorancës e as SPAK-ut.

“Le të rrijë e qetë Elisa me shokët e shoqet e saj. Ajo që hodha ishte një aromatizues. Nuk ishte benzinë. Nuk i trembem as SPAK-ut askujt, Ne kemi një mision dhe nuk ndalemi nga kërcënimet e kësaj bande kriminale”, tha ajo.

Tensionet jashtë Kuvendit u intensifikuan, kur deputetët e Partisë Demokratike u përplasen me gardistët dhe tentuan të thyejnë gardhin policor dhe metalik të vendosur në hyrje. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, tentoi të vërë zjarrin një banderole me mbishkrimin “Edi Rama mafie”, por përpjekja e tij dështoi. Pas kësaj, deputeti Dashnor Sula leu dhe dogji xhaketën e tij me benzine.

Ndërkohë, një protestë për dosjen “5D” po zhvillohej para Bashkisë Tiranë, dhe protestuesit u bashkuan me deputetët pas përfundimit të fjalimeve. Në një moment të tensionuar, deputeti Luan Baçi pretendoi se një efektiv i sigurisë e kishte kërcënuar me armën në gjoks, por policia sqaroi se kishte qenë spraj lotues.

Pasi deputetët e PD-së dhe protestuesit u larguan, në Kuvend mbërriti policia shkencore për të hetuar lëndën e hedhur nga deputetja Elda Hoti më herët në Kuvend.

Aksioni përfundoi me një deklaratë të Flamur Nokës, i cili përdori një gjuhë të ashpër ndaj ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, duke kërcënuar se do të përballeshin me fatin e ish-diktatorit Enver Hoxha.

“Nipi i Enver Hoxhës mund të rrijë në krye të ministrisë por kujto që e kemi tërhequr zvarrë Hoxhën.
Ashtu do tërhiqesh edhe ti dhe Elisa”,  u shpreh Noka.