Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka ka deklaruar për mediat se deputetët e opozitës u kërcënuan me armë nga forcat speciale të policisë. Ai tha se kjo situatë është një shenjë e qartë e rënies së demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Noka theksoi se nuk kishte ndodhur kurrë që forcat e armatosura të futeshin në ambientet e Gardës së Republikës për të kërcënuar përfaqësuesit e popullit. “Këtu vdes demokracia. Vetëm diktaturat fusin policinë në parlament,” deklaroi ai.
Ai akuzoi qeverinë për panik dhe tha se shqiptarët kërkojnë një qeveri teknike për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Asgjë nuk i shpëton nga vullneti i shqiptarëve,” u shpreh Noka, duke konfirmuar vazhdimin e aksionit të mosbindjes civile nga opozita.
“Siç e patë, sot regjimi arriti kulmin, duke i kërcënuar me tytën e armës deputetët.
Nuk kishte ndodhur kurrë që forcat speciale të policisë, të armatosura gjer në dhëmbë, të futen në ambientet e gardës së republikës dhe të kërcënojnë me tytën e armëve deputetët, përfaqësuesit e popullit.
Këtu vdes demokracia. Këtu vdes shteti ligjor dhe shteti i së drejtës.Vetëm diktaturat, vetëm juntat fusin në parlament polici dhe forca të armatosura.
Institucionet kushtetuese janë të mbrojtura nga Garda e Republikës dhe është rreptësisht e ndaluar të hyjnë.
Por kur narkoministri, stërnipi i Enver Hoxhës kërcënon opozitën nga foltorja e parlamentit, pastaj narkobanditët me uniformë policie janë gati të bëjnë gjithçka.
E gjitha kjo që patë sot ju, që nga rrethimi, që nga dhuna ndaj deputeteve brenda ambienteve të parlamentit, që nga prania e gardës dhe policisë, tregon një panik.
Narkoregjimi është në panik nga mosbindja civile e opozitës.
Edhe kërcënimet që hidhen nga Elisa Spirogjoka 5 milionë eurosh, apo stërnipi i Enver Hoxhës, nuk mund të trgojnë gjë tjetër veçse panik, panik, panik.
Asgjë nuk i shpëton nga vullneti i shqiptarëve.
Shqiptarët kërkojnë qeveri teknike sepse nuk mund të pranojnë të shkojnë në zgjedhje me një narkoregjim që dikton fatin e zgjedhjeve shumë kohë përpara zgjedhjeve.
Nuk kanë kaluar 24 orë nga dita kur kreu i narkos u tha shqiptarëve se do të çelë kapitujt negociatave dhe i çeli me gardë, me narkopolici, i çeli me tytën e armëve duke kërcënuar deputetët.
A mund të jetë ai imazhi i një shteti që çel negociatat? Jo.
Jemi të vendosur në rrugën tonë, në aksionin e mosbindjes civile.
Asgjë nuk na ndal, as Elisa Spirogjoka, as stërnipi i Enver Hoxhës, as kreu i narkos, askush.
Ne do vazhdojmë në rrugëtimin tonë”, u shpreh Noka.