Vendosni fjalën kyçe....

12 emigrantët e parë në Gjadër, Gjykata e Romës: Duhet të kthehen të gjithë në Itali


Gjykatësit e seksionit të imigracionit në gjykatën e Romës kanë vendosur që 12 migrantët egjiptianë dhe bangladeshas të dërguar në Shqipëri duhet të kthehen në Itali, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga Komisionet Territoriale.

Ky vendim ka ndezur një debat politik midis qeverisë dhe opozitës, ndërsa shumica qeveritare shprehet e zemëruar ndaj këtij vendimi.

Në mëngjesin e së enjtes, gjykatësit në Romë nuk kanë konfirmuar mbajtjen e migrantëve të shpëtuar nga Guardia di Finanza më 13 tetor në ujërat ndërkombëtare të zonës SAR italiane, shkruan La Republica.

Ata u transferuan në anijen Libra të Marinës Ushtarake dhe më pas në portin e Shëngjinit, për t’u dërguar në qendrën e mbajtjes në Gjader.

 

Vendimi i bazuar në Gjykatën Evropiane

Vendimi është mbështetur në një aktgjykim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që sqaroi se një vend për t’u konsideruar i sigurt duhet të jetë i tillë në çdo pjesë të territorit të tij. Sipas këtij aktgjykimi, Egjipti dhe Bangladeshi, ashtu si dhe Tunizia, nuk konsiderohen vende të sigurta.

Gjykatësja Luciana Sangiovanni, në një deklaratë për shtyp, theksoi se mbajtja e migrantëve nuk mund të konfirmohej duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Evropiane, që ndalon njohjen e vendeve të tilla si të sigurta. Kësisoj, migrantët kanë të drejtë të rikthehen në Itali për të kërkuar azil.

 

Kthimi në Itali

Migrantët nuk mund të qëndrojnë në Shqipëri dhe as të lihen të lirë në territorin shqiptar.

Ata do të udhëtojnë me traget nga Shëngjini drejt Barit mëngjesin e nesërm, duke pasur 14 ditë për të apeluar refuzimin e kërkesave të tyre për azil.

Partitë e shumicës qeveritare, si Fratelli d’Italia dhe Lega, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të gjykatës, duke akuzuar gjykatësit për politizim dhe për mosrespektim të kufijve të Italisë.