Vendosni fjalën kyçe....

Balluku inspekton makinerinë “Tamping”: Kemi avancuar me një sërë komponentësh të projektit, 80% e proceseve të përfunduara


Punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Rinas – Durrës po i afrohen përfundimit, me mbërritjen e makinerisë moderne Tamping, e cila do të rrisë qëndrueshmërinë e binarëve dhe do të sigurojë një udhëtim më të rehatshëm. Kjo makineri ndihmon në paketimin dhe shtypjen e çakëllit, duke siguruar korrigjimin e shtrirjes së shinave për t’i bërë ato paralele dhe në nivel.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizitoi zonën e Shkozetit për të vlerësuar nga afër ecurinë e punimeve. Drejtori i Hekurudhës, Ergys Verdho, njoftoi se në muajin nëntor nis puna për ndërtimin e stacioneve

“E rëndësishme është që në muajin nëntor nis puna për ndërtimin e stacioneve. Dhe aty do përqendrohen forcat në pjesën e kabinave të sinjalistikës dhe të telekomunikacionit për shkak e ky komponent ndërthuret me trasenë dhe komponentin e parë të ndërtimit të linjës me futjen e të gjithë sinjalistikës dhe telekomunikacionit në këto ndërtesa. Etapa tjetër është elektrifikimi”, tha Verdho.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vlerësoi përparimin e projektit për hekurudhën Tiranë – Rinas – Durrës, duke theksuar se janë përparuar me ngritjen e stacioneve, ku parashikohen 10 të tilla. Ajo njoftoi se gara ndërkombëtare për ndërtimin e stacioneve është mbyllur dhe ka një fitues, me Hekurudhën Shqiptare në procesin e negociatave për lidhjen e kontratës.

Balluku theksoi se deri tani janë realizuar rreth 80% e punimeve.

“Kemi avancuar me një sërë komponentësh të projektit, sepse projekti i Tiranë-Rinas-Durrës ka disa komponentë. Nuk është thjesht traseja me të cilën po ecim me një shpejtësi të mirë, të qëndrueshme dhe të konsiderueshme. Rreth 80% e proceseve janë të bëra.

Nga ana tjetër, jemi edhe duke avancuar me komponentët e tjerë siç është pjesa e stacioneve. Është mbyllur gara ndërkombëtare për stacionet, kemi tashmë një fitues.

Hekurudha Shqiptare është në momentin kur po lidhet kontrata, po negociohet lidhja e kontratës dhe më pas nis menjëherë nga puna për ndërtimin e këtyre 10 stacioneve të cilat janë parashikuar në projektin origjinal të gjithë hekurudhës”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej edhe tek projektet e tjera hekurudhore për të cilët do të nisë puna duke rijetësuar kështu një prej sektorëve të rëndësishëm të transportit.

Ajo njoftoi se në dhjetor do të fillojë gara ndërkombëtare për elektrifikimin e hekurudhës dhe se po punohet për një studim të detajuar për operimin e hekurudhave, dhe se projektet për hekurudhën përfshijnë disa komponentë, përfshirë ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin.

Ministrja përmendi gjithashtu projekte të tjera, si ai i Vorë-Hani i Hotit, dhe përshkoi rëndësinë e Korridorit të VIII, që lidhet me portin e ri të Durrësit, si një nga segmentet më të rëndësishme për zhvillimin e transportit në vend.

“Në dhjetor kemi garën ndërkombëtare për elektrifikimin e hekurudhës dhe në ndërkohë kemi dhe komponentin e fundit i cili ka të bëjë me operimin e hekurudhave që është një komponent shumë i rëndësishëm, një komponent që po shkon me një studim të detajuar gjithashtu ndërkombëtar me mbështetjen e partnerëve tanë dhe që nga ana tjetër duke dizenjuar këtë komponent atëherë do të kemi një manual të qartë operimi për të gjithë hekurudhat e tjera për të cilat ne kemi aplikuar apo kemi fituar, siç është rasti i Vorë-Hani i Hotit që është projekti që do të fillojë menjëherë, domethënë tani duke pasur parasysh që i kemi mbyllur të gjitha proceset për atë hekurudhë dhe ndërkohë ne po presim miratimin për të gjitha pjesët e tjera që kemi aplikuar pranë ËBIF, siç është Durrës-Rrogozhina apo më pas Rrogozhinë-Pogradeci, pra Korridori i VIII, që për ne është një nga segmentet më të rëndësishme pasi lidhet dhe me portin e ri të Durrësit”, nënvizoi Balluku.