Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi pas kallëzimit të Policisë në SPAK: Nuk i përgjigjem ushtarëve, zakonisht merrem me bandat


Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kallëzimit të disa deputetëve të partisë së tij nga policia në SPAK, lidhur me përplasjen e ndodhur me policinë dhe Gardën. Ai theksoi se nuk do t’i përgjigjej “ushtarëve të bandave”, duke akuzuar drejtuesit e policisë dhe ministrin e Brendshëm për lidhje me krimin e organizuar.

Bardhi përmendi një vjedhje prej 180 milion eurosh nga buxheti i shtetit, duke e vendosur theksin tek lufta ndaj korrupsionit si një detyrë të Prokurorisë së Posaçme. 

“Unë nuk i përgjigjem ushtarëve të bandave. Zakonisht përzgjedh të merrem me bandat. Ushtarë të tyre siç janë Ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë së Shtetit, drejtori i Policisë së Tiranës nuk janë në fokusin e punës sime.

Sot jam për një vjedhje 180 mln euro. Deputetët e opozitës nuk akuzohen se kanë vjedhur 180 mln vetëm për një vit nga buxheti i shtetit nga shitblerja e paligjshme e energjisë.

Prokuroria e Posaçme është ngritur për këtë, për të luftuar korrupsionin dhe vjedhjet me buxhetin e shtetit. Prokuroria e Posaçme nuk është ngritur për të sulmuar deputetët e opozitës të cilët në krye të detyrës së tyre, nga fakti që krye të strukturave ligjzbatuese Ministri e Brendshme, Drejtori e Përgjithshme e policisë, drejtori vendore e Tiranës janë ushtarë të bandave më të rrezikshme në vend sulmohen nga FNSH-të në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, diçka e pandodhur kurrë në 34 vite dhe ju siguroj që do të sjellë përgjegjësi penale, ligjore për cilido që ka urdhëruar futjen dje në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë të forcave speciale të Policisë së Shtetit.

Asnjë veprim qesharak i tillë… se lexova që kishin akuzuar për kanosje deputeten Elda Hoti, pra policia ishte ndjerë e kanosur nga një deputete femër e grupit parlamentar të PD-së.

Degradimi në këto nivele i ministrisë së Brendshme, i Policisë së Shtetit është i pritshëm sepse një Polici që nuk lufton dot krimin e organizuar, por i shërben krimit të organizuar do merret me deputetet femra të opozitës ”, tha Bardhi.